OSBE/ODIHR dhe PE vlerësojnë përmbushjen e detyrave antikorrupsion
Lufta kundër korrupsionit, fund viti me bilanc pozitiv
“Rastet e korrupsionit dhe të mos deklarimit të pasurive janë evidente si në administratë ashtu dhe në gjyqësor dhe beteja për zhdukjen e korrupsionit është e vështirë por jo e pamundur”. Kështu u shpreh dje kreu i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Adriatik Llalla. Llalla tha se në Shqipëri vazhdojnë të jenë evidente rastet e mos deklarimit të pasurive, si dhe fshehja e tyre brenda dhe jashtë vendit.
Ai solli në vëmendje se rastet më të vështira për tu hetuar janë fshehja e pasurisë në persona të dytë, që kanë lidhje familjare me disponuesin real të pasurisë. Ndërsa në radhët e politikës, si më problematikët në mos deklarimin e pasurisë ai e cilësoi pushtetin lokal. “Lufta për korrupsionin është e vështirë por e mundur. Ekziston baza ligjore për ta përmbushur këtë synim. Probleme ka në administratë dhe në gjyqësor. Kemi informacione të gjithanshme për shkelje flagrante të cilat i kemi në proces hetimi. Ligjvënësi ka pajisur institucionin tonë me mjetet e duhura, por vështirësia qëndron kur abuzuesit përdorin të afërmit për tu mbuluar. Edhe për fshehjen e pasurive jashtë vendit kemi disa raste për të cilat po kryejmë verifikime. Duke qenë se rastet më të shumta të fshehjes së pasurisë janë përmes llogarive bankare, kemi mundësi më të mëdha për të marrë informacion”, u shpreh Llalla.
Kreu i ILDKP-së vuri në dukje se institucioni i tij ka gjetur mbështetjen e të gjithë strukturave dhe institucioneve të tjera në luftimin dhe hetimin e rasteve flagrante dhe theksoi se në 90 për qind të rasteve të denoncuara prej tyre janë marrë masa ndëshkuese ndaj shkelësve. Duke u ndalur në një nga plagët më të nxehta të të rinjve, në korrupsionin në shkolla ai tha se ILDKP ka nisur punën për sensibilizimin e studentëve për t’i denoncuar rastet e mit marrjes apo pedagogët që imponojnë dhe japin kurse privatisht pas mësimit. Llalla tha se do krijohen zyra kontakti për të pritur informacione të ardhura nga vetë studentët, të cilat do të verifikohen më pas dhe do të merren masat ndaj tyre.
Ndërsa lidhur me “çështjen e financimit të partive” ai tha se ndonëse ILDKP do të mund ta përmbushte më mire si mision, vazhdon të jetë nën kontrollin e KQZ-së.
Në përfundim Adriatik Llalla tha se fund viti e gjen ILDKP me një bilanc pozitiv në përmbushjen e detyrave, i vlerësuar qoftë nga raporti i fundit i Parlamentit ashtu dhe nga OSBE-ODHIR.