“Mazhoranca bën reforma, Edi Rama bën ‘kurbane’”
Kreu i LSI-së Ilir Meta, takohet me strukturat e tij partiake në Maliq
Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta i shoqëruar nga deputeti Vangjel Tavo, zhvilloi dje një takim me strukturat e kësaj partie në Maliq. Meta ka konfirmuar se LSI do të jetë në të njëjtin drejtim që është tani edhe në zgjedhjet e vitit 2013.
Meta ka bërë apel që të përmbushen sa më shpejt 12 rekomandimet e Këshillit të Evropës si dhe të sigurohet barazia e votës nëpërmjet Kodit të ri Zgjedhor.
“LSI gjithmonë ka bërë zgjedhjen e duhur, kështu dhe në çdo rast, dhe në të ardhmen, LSI do jetë në të njëjtin drejtim. LSI ka bërë parashikime të sakta për situatën politike. Kjo parti ka dhënë kontribut për liberalizimin e vizave. Të tjerët sajonin konflikte për t’u bërë protagonistë. Politika shqiptare ka reflektuar”, u shpreh kreu i LSI-së, Ilir Meta.
Lidhur me Kodin Zgjedhor, Meta tha se “LSI pret një debat publik për kodin zgjedhor”.
Sipas tij, ligji zgjedhor aktual, nuk garanton barazinë e votës.
“Kodi i vjetër s’premton realizimin e interesave. Me ndryshimet e kodit, vendi do ecë përpara. Reforma zgjedhore të garantojë barazinë e votës. LSI ka qenë promotore e reformave”, theksoi Meta.
Ndërsa shtoi se jo çdo forcë politike është e dhënë pas kursit reformator. Në këtë pikë Meta atakoi kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, për të cilin tha se s’është i interesuar për progresin e vendit, ndërsa gjatë kohës që Shqipëria kishte nevojë për konsensus politik, si mënyra e vetme e avancimit në rrugën e integrimit Evropian, Rama shkruante “Kurbanin”. “Ne do vazhdojmë të mbështesim dhe nxisim reformat në vend, si një force politike promotore e reformave dhe gjithmonë koherente. Përsa i takon librit të kreut të opozitës, më lejoni të shtoj se as nuk e kam lexuar dhe as nuk kam ndër mend ta lexoj. Të lexosh kujtimet e një politikani, është si të lexosh një gazetë të përditshme”, komentoi Meta.
Kreu i LSI-së insistoi edhe njëherë për përmbushjen e reformave dhe avancimin e përpjekjeve të Shqipërisë në rrugën e integrimit në BE. Apeli i Ilir Metës vjen një ditë pas takimit të 4-ët të Komitetit Parlamentar të Stabilizim – Asociimit, BE – Shqipëri, i cili konkludoi me miratimin e një rezolutë të përbashkët me 6 rekomandime, e cila mori mbështetjen e të gjithë faktorit politik shqiptar, duke shprehur kështu mbështetjen për aspiratën e integrimit Evropian.
Kreu i delegacionit të Parlamentit Evropian për Ballkanin, Eduard Kukan, theksoi në mbyllje të këtij takimi se “dialogu dhe konsensusi për integrimin janë prioritet dhe duhet të punojmë dhe në të ardhmen që të arrihet më shumë konsensus”.
Sipas tij, arritja e konsensusit për miratimin e një marrëveshjeje mes Shqipërisë dhe BE-së, është e rëndësishme dhe konfirmim i trendit pozitiv të politikës shqiptare, pasi më parë kishin dështuar 3 nisma për miratimin e një rezolute.