E Diel, 1 Nëntor 2026

Olldashi: Punimet për Unazën e Madhe vazhdojnë, së shpejti nis projekti i Bashkisë

11-12-2011 / Gazeta 55

Trajektorja e Unazës së Madhe nis nga Selita dhe përfundon në Sauk, ku nis edhe autostrada Tiranë-Elbasan

Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, u shpreh dje se po punohet me Bashkinë e Tiranës, për të përcaktuar gjurmët se ku do të vazhdojë unaza, nga pjesa ku bashkohet me rrugën e vjetër të Elbasanit, në drejtim të zonës së Liqenit të Farkës, për të dalë te zona e Rrapit të Treshit. Olldashi tha se është përcaktuar gjurma dhe puna do të fillojë shumë shpejt me projektin.
Sipas Olldashit, punimet në segmentin e parë të unazës së madhe po ecin shumë mirë.
“Ky segment, që është në vazhdim e sipër ka çliruar pak zonën lindore të Tiranës nga trafiku i rëndë. Aty vijojnë punimet intensivisht me synimin që në pranverë punimet të mbyllen dhe segmenti të jetë tërësisht funksional”, tha ai.
Ky segment, tha Olldashi, jo vetëm që do të liroj trafikun e rënduar në qendër të Tiranës, por do të jetë pikënisja e projektit madhor të qeverisë, pra ndërtimin e Boshtit qendror dhe jugor. Segmenti i unazës së re është konceptuar si një autostradë, me një gjatësi prej 3.2 kilometrash dhe gjerësi 24 metrash, brenda së cilave janë menduar të ndërtohen 6 korsi, si dhe mbikalime dhe nënkalime, sipas standardeve evropiane.
Unaza e madhe dhe rruga e re Tiranë-Elbasan, janë pjesë e projektit madhor për ndërtimin e Boshtit qendror jugor, pra atij që do të lidhë kryeqytetin me jug-lindjen e vendit. Sipas projektit të bashkisë, Unaza e madhe e Tiranës do të kalojë në dy segmente kryesore. Segmenti i parë do të ketë trajektoren “Babrru – Bregu i Lumit – Kthesa e Kazmës”. Ky segment do të ketë një shtrirje prej 6.5 kilometrash, me 8 korsi, ku do të përfshihet edhe një korsi e veçantë për mjetet e transportit publik dhe të emergjencës.
Ndërsa segmenti i dytë i Unazës, ndërtimi i të cilës ka filluar në mars të këtij viti, ka një gjatësi prej 5,228 kilometra dhe është projektuar të kalojë në zonën e Selitës, pranë kopshtit Botanik dhe Zoologjik, në kodrat mbrapa Parkut të Madh të Tiranës, në kodrat e Saukut dhe lidhet me rrugën e Elbasanit pranë Akademisë së Rendit Publik.
Në pjesën e parë të saj, në zonën e Selitës deri tek Parku i Madh, rruga përshkon një zonë urbane me dendësi ndërtimesh, të cilat kryesisht janë të ulëta dhe në një zonë me mungesa në infrastrukturën nëntokësore. Pjesa tjetër e Unazës së Madhe kalon në zonën kodrinore mbi kodrat e Liqenit artificial dhe kodrat e Saukut.
Nga studimet e kryera, rruga e re parashikohet që të përballojë një trafik me mbi 20 mijë makina në ditë, që në momentin e parë të funksionimit të saj dhe duke llogaritur rritjen e vazhdueshme të trafikut, kjo rrugë parashikohet që në vitin 2013 të përballojë një trafik prej 38 mijë makinash në ditë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›