E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vangjel Dule: Rama s’pranon asnjë sugjerim nga të vegjlit

11-12-2011 / Gazeta 55

Reforma Zgjedhore
 
Të vegjlit rreth PS shfaqin hapur dyshimet e tyre ndaj Partisë Socialiste dhe lidershipit të saj, Edi Rama, për një devijim të debatit lidhur me diskutimet e reformës zgjedhore. Sipas kryetarit të PBDNJ, Vangjel Dule, pavarësisht se çfarë do të diskutohet publikisht për 2013, do të kemi një reformë zgjedhore që do të vijë nga një marrëveshje e fshehtë PD – PS.
Kreu i PBDNJ-it Dule nuk ka përdoruar aspak doreza ndërsa flet për atë se çfarë po gatuhet, sipas tij, në tryezën e dy partive të mëdha për Kodin e ri Elektoral. Sipas tij, PD e PS të për të vetmen pikë që bien dakord është gjithë reforma zgjedhore e kjo shumicën e rasteve në dëm të partive të tjera.
“Është e vetmja pikë ku ata merren vesh për bukuri me njëri – tjetrin, në dëm të interesave jo vetëm të forcave të vogla politike, por të një sistemi politik. Ajo që po konstatojmë është ajo e një marrëveshje të fshehtë që do t’i imponohet tavolinës dhe rrjedhimisht do të institucionalizohet si vendim i komisionit parlamentar gjithëpërfshirës”, u shpreh Dule. Lidhur me kërkesat e të vegjëlve në tryezën e partive politike, Dule tha se do insistohet për pjesëmarrjen dhe kontributin e emigrantëve në procesin e ardhshëm zgjedhor; duhet që të kemi komisione zgjedhore gjithëpërfshirëse ose jo partiake; administrim të procesit zgjedhor në mënyrë elektronike, jo vetëm nga regjistrimi por edhe nga numërimi.
Gjithashtu, sipas Dules, të vegjlit do propozojnë ndryshime edhe në sistemin zgjedhor.
“Do ishim për një sistem zgjedhor proporcional, pa kondicionime pragjesh, të cilat mbeten pengesë për përfaqësimin në parlament”, tha Dule.
Por, se sa PS do t’i marrë në shqyrtim kërkesat e aleatëve të saj, për Dulen mbetet e sigurtë se reforma e ardhshme zgjedhore, do jetë produkt i dy partive të mëdha, ndërsa Rama ashtu siç edhe veproi në 2008-ën, edhe këtë herë do vendosë në emër të partive të vogla, duke dëmtuar interesat e këtyre të fundit. I mbledhur vetëm një herë që nga miratimi në kuvend, Komisioni për reformën zgjedhore vë përballë 6 parti politike të cilat duhet të hartojnë një draft të ri zgjedhor brenda 3 muajve edhe pse palët ndahen për çështje të rëndësishme si sistemi zgjedhor.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›