Të rinjtë e LSI, jo spektatorë por aktorë dhe faktorë të rëndësishëm
LRI, takim me qindra të rinj të Rrethit Lushnje
Sekretari për Marrëdhënie me Publikun, Ardit Çela, i shoqëruar nga sekretarja për Marrëdhëniet me Jashtë në LRI, Blerina Kazaferi, nënkryetarja e LRI-së së Tiranës, Malvina Palushi dhe të tjerë drejtues të LRI-së së Tiranës zhvilloi dje një takim me Komitetit Drejtues të Lëvizjes Rinore për Integrim të rrethit të Leshnjes. Duke përshëndetur entuziazmin e të rinjve të pranishëm, Sekretari për Marrëdhënie me Publikun, Ardit Çela u shpreh se “në Lëvizjen Rinore për Integrim dhe në Lëvizjen Socialiste për Integrim, të rejat e të rinjtë nuk janë thjesht dhe vetëm spektatorë, por janë aktorë dhe faktorë të fuqishëm në vendimmarrje”.
Sipas Çelës, Lëvizja Socialiste për Integrim lindi si një forcë e re për një Shqipëri të re. Është një mision i vështirë u shpreh ai, por sigurisht dhe pa diskutim që është një mision frymëzues, është ky frymëzim që e bën Lëvizjen Socialiste për Integrim të jetë gjithmonë e më shumë pranë të rinjve dhe është po ky frymëzim që i bën të rinjtë të zgjedhin Lëvizjen Socialiste për Integrim.
“Të rinjtë dhe të rejat e duan LSI-në, sepse aty gjejnë vetveten dhe sepse kanë mundësi të zhvillojnë aftësitë dhe personalitetin e tyre. Kjo është arsyeja pse ata e zgjedhin LSI-në dhe kjo është arsyeja se LSI-ja po vazhdon të fuqizohet dita-ditës. Ky është një ogur i mirë, jo vetëm për LSI-në, por për gjithë rininë dhe gjithë Shqipërinë. Të dashur miq ashtu sikurse njerëzit dallohen nga fjala e mbajtur, edhe organizatat rinore edhe forumet rinore, politike apo jo politike dallohen sesa e mbajnë fjalën”, shtoi Çela.
Më tej duke u ndalur në çështje më konkrete për të rinjtë, Çela është ndalur më gjatë te “Matura Shtetërore”.
“Ne u premtuan të rinjve shqiptarë u shpreh ai, reformimin e ‘Maturës Shtetërore’,dhe e kemi arritur atë dhe sot të rinjtë janë më afër preferencës së tyre të parë sesa ishin në fillimet kur ky proces nisi. U kemi premtuar studentëve kartën e studentit dhe është një projekt që po vihet në jetë dhe u kemi premtuar studentëve reformim cilësor të arsimit të lartë. Sot, nga një sistem i ngatërruar Diplomë e Nivelit të Parë, Diplomë e Nivelit të Dytë, Master i Nivelit të Parë, Master i Nivelit të Dytë, kemi ekuivalentim të diplomave me gjithë vendet e tjera të Evropës; Bachelor, Master dhe Doktoraturë. Kjo është një arritje shumë e madhe, të cilën e kemi arritur me punën tonë në qeverisje, sigurisht në bazë të propozimit që kemi marrë nga Lëvizja Rinore për Integrim dhe në bazë të bashkëbisedimit që kemi pasur me të rinjtë dhe të rejat e Shqipërisë. Kemi premtuar punësim të të rinjve dhe në drejtim të punësimit të të rinjve kemi propozuar praktikat profesionale në mënyrë të tillë që të rinjtë të ambientohen sa më shumë me tregun e punës, me ambientin e punës, me kulturën e punës dhe po të shtojmë këtu arsimin cilësor, po t’i shtojmë këtu teknologjinë e re, energjitë e reja, punësimi i të rinjve është shumë më afër sot sesa ka qenë në periudhat e kaluara. Mbi të gjitha, ne u premtuan të rinjve shqiptarë në vitin 2009, liberalizimin e vizave. Sot të rejat dhe të rinjtë e këtij vendi, lëvizin lirshëm pa viza në vendet e hapësirës Shengen të Bashkimit Evropian, dhe ky është një kontribut i drejtpërdrejtë i Lëvizjes Socialiste për Integrim, me ministrin e Jashtëm të asaj kohe zotit Meta dhe me krijimin e koalicionit midis Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim”, tha më tej, Çela.