E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSBE:Zgjedhjet, progres i dukshëm, standardet jo të larta

Raporit thotë se zgjedhjet patën arritje si në regjistrimin e votuesve dhe procesit të identifikimit,  kornizës ligjore të adoptuar në menyrë konsensuale prej të dy partive kryesore, votimit, numërimit të votave dhe gjykimit të mosmarrëveshjeve zgjedhore.

Sipas raportit të OSBE-së zgjedhjet u zhvilluan të qeta në përgjithësi, por pati edhe disa shkelje procedurale.  Raporti bën disa rekomandime të reja, por vë gjithashtu në dukje se disa prej tyre janë bërë edhe më parë nga OSBE-ja, por ende nuk janë zbatuar.

“Edhe pse u përmbushën pjesa më e madhe e angazhimeve të OSBE, këto zgjedhje nuk realizuan plotësisht potencialin e Shqipërisë për të përmbushur standardet më të larta për zgjedhje demokratike, zhvillimi i zgjedhjeve demokratike varet gjithashtu nga angazhimi i partive politike për të respektuar këto standarte që rrjedhin përmes detyrimeve elektorale dhe që shërbejnë për të ruajtur integritetin e procesit“ thuhet fjalë për fjalë në raport.

Megjithatë, OSBE-ODIHR thotë se procesi u përkeqësua për sa i përket politizimit të disa aspekteve të këtij procesi, çka bllokuan numërimin e votave në disa zona dhe shkelje të tjera të vëna re gjatë fushatës. Në përgjithesi, korniza ligjore siguron një themel të plotë teknik për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike.

Megjithatë, një sërë dispozitash duhen rishikuar në menyrë që korniza ligjore të jetë në linjë të plotë me kerkesat e OSBE dhe standarde të tjera ndërkombëtare. 

Raporti vlerëson punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, sipas të cilit përgatiti dhe administroi votimet me profesionalizëm dhe ndërmori hapa të konsoliduara në drejtim të përmirësimit të transparencës së procesit.

Në 22 nga 66 qendra numerimi, ky proces ishte i keq ose shumë i keq. Pjesa më e madhe e këtyre problemeve erdhën si pasojë e trajnimit të pamjaftueshëm të komisionerëve. Vecanërisht partitë politike e dëmtuan shumë procesin kur rezultatet ishin pranë mbylljes. Edhe sistemi i monitroimit me kamera nuk ishte shumë funksional, thuhet në raport.

OSBE/ODIHR angazhoi më shumë se 400 vëzhgues afatshkurtër për zgjedhjet e 28 qershorit në vend, si dhe një numër vëzhguesish afatgjatë. Në zgjedhjet e fundit parlamentare misioni i ODIHR u kryesua nga Audrey Glover e cila u sulmua nga kryeminstri Berisha pak javë përpara ditës së votimit.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›