E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ cakton ekspertët që do kontrollojnë partitë

Përzgjidhen 27 ekspertët kontabël që do të bëjnë verifikimin dhe kontrollin e financave të 34 subjekteve zgjedhore, pjesëmarrëse në votimet e 28 qershorit. 

TIRANE- . Caktimi i tyre u bë dje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, pas miratimit të projektvendimit për shpalljen e shortit mbi emërimin e ekspertëve kontabël të licencuar. Sipas shortit të hedhur, financimi i Partisë Demokratike do të merret në shqyrtim nga shoqëria “Alb BB Auditing shpk”; i Partisë Socialiste, nga kontabilisti Mihal Ziu, ndërkohë që financimi që Lëvizja Socialiste për Integrim ka përdorur në fushatë do të shqyrtohet nga Theodhoraq Gjosha. Në bazë të Kodit Zgjedhor (neni 91), jo më vonë se 45 ditë pas shpalljes së këtij rezultati për çdo subjekt KQZ emëron me short një apo më shumë ekspertë kontabël të licencuar, të përzgjedhur sipas disa kritereve ligjore për të kryer auditimin e fondeve të përfituara dhe të shpenzuara në fushatë. Pas auditimit, më 2 nëntor grupi i ekspertëve do t’i paraqesë KQZ-së raportin dhe më pas komisioni do të mund të bëjë verifikimin e të dhënave. Kjo procedurë mund të përshijë edhe pyetjen e personave dhe subjekteve të ndryshme, këqyrjen e dokumenteve që lidhen me këtë çështje, pranë zyrave përkatëse të subjektit zgjedhor që ka paraqitur raportin, si dhe marrjen e çdo informacioni nga bankat apo persona të tretë, të cilët mund të tregojnë mbi të dhënat e paraqitura në raport.
(s.g/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›