E Hënë, 2 Nëntor 2026

OSHEE, 199 milionë lekë për përmirësimin e sistemit të faturimit

TIRANË, 8 shtator/ATSH/ Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) pritet të investojë rreth 199 milionë lekë për përmirësimin e infrastrukturës ekzistuese të faturimit.

OSHEE ka shpallur në Agjencinë e Prokurimit Publik një kontratë për përmirësimin e teknologjisë dhe përditësimin e sistemit të faturimit dhe menaxhimit të klientëve.
Përmes këtij investimi OSHEE synon rritjen e kapaciteteve teknologjike, në funksion të shërbimeve më cilësore ndaj konsumatorëve dhe menaxhimit më efikas të proceseve të brendshme.

Sistemi aktual informatik për faturim dhe menaxhim të marrëdhënieve me klientët është në funksion prej disa vitesh dhe shërben si platformë qendrore për katër kompanitë që përbëjnë OSHEE Group.

Ai mbulon funksione të rëndësishme si regjistrimi dhe menaxhimi i klientëve, lidhja dhe ndërprerja e kontratave, përllogaritja e faturave, menaxhimi i pagesave, si dhe trajtimi i ankesave dhe raportimi teknik e financiar.

Për shkak të përdorimit të gjatë dhe zhvillimeve të shpejta teknologjike, OSHEE bën të ditur se infrastruktura e tij është konsideruar pjesërisht e amortizuar, ndërsa disa funksione kërkojnë përmirësime për të qenë në përputhje me kërkesat e reja të tregut.

Në këtë kuadër, investimi synon jo vetëm përditësimin e moduleve ekzistuese, por edhe rritjen e mundësive për integrim me sisteme të tjera të rëndësishme, si ERP, platformat digjitale dhe aplikacionet mobile.

OSHEE ka përcaktuar gjithashtu kritere të qarta për kapacitetin ekonomik dhe financiar të operatorëve ekonomikë që do të marrin pjesë në këtë procedurë. Në mënyrë të veçantë, kërkohet që operatorët të dëshmojnë një xhiro minimale vjetore jo më të vogël se fondi limit i procedurës, për të paktën një nga tre vitet e fundit, si një mënyrë për të garantuar kapacitetin financiar dhe qëndrueshmërinë e ofertuesve në zbatimin e kontratës.

Ky investim përbën një hap strategjik në përmirësimin e sistemeve digjitale dhe operacionale të OSHEE Group, duke rritur ndjeshëm efikasitetin dhe transparencën në ofrimin e shërbimeve për qytetarët dhe bizneset në të gjithë vendin. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›