E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSSH: Investim 2,2 milionë euro në Bajram Curri

26/06/2009  Nënstacion i ri

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes do të investojë një fond prej 2,2 milionë eurosh për ndërtimin e një nënstacioni të ri në qytetin e Bajram Currit. Burime zyrtare të OSSH-së theksuan se zbatues i punimeve do të jetë një shoqëri shqiptare. Nënstacioni do të jetë me kapacitet 110/10(20) kilovolt dhe me një fuqi 15+7.5 MVA. Sipas burimeve zyrtare, furnizimi me energji elektrike i këtij qytetit në Veri të Shqipërisë do të realizohet nëpërmjet një linje radiale 110 kv nga nënstacioni 220/110 kv në Fierzë. Momentalisht në shfrytëzim është një nënstacion ekzistues 110/6 kv me gjendjen teknike të pajisjeve elektrike të amortizuar. Ndërtimi i nënstacionit të ri është mjaft i domosdoshëm për komunitetin e zonës, pasi ndërprerja e vazhdueshme e energjisë elektrike nga nënstacioni ekzistues ka krijuar probleme për popullatën e qytetit verior dhe të gjithë komunave që furnizohen nga ky nënstacion. Sipas projektit të hartuar nga firma zbatuese dhe të miratuar nga OSSH, janë duke vazhduar punimet për sistemimin e sheshit të ndërtimit, si dhe kanë filluar punimet për bazamentet kryesore të pajisjeve elektrike. Shoqëria shqiptare ka lidhur kontratën për prodhimin e pajisjeve elektrike në mars dhe fondi do të lëvrohet gjatë muajve korrik-gusht. Nënstacioni i ri pritet të vihet në punë në muajin nëntor.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›