E Shtunë, 31 Tetor 2026

Inflacioni në muajin maj në nivelin 2,1 për qind

26/06/2009  Brenda objektivit

Inflacioni vjetor në muajin maj të vitit 2009 rezultoi 2.1 për qind. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, treguesi i inflacionit është rikthyer brenda intervalit të tolerancës rreth objektivit 3 për qind të këtij institucioni mbikëqyrës. Rritja e inflacionit në vend në muajin maj ka vijuar të pasqyrojë në mënyrë më të plotë prirjen nënçmuese të kursit të këmbimit në çmimet e mallrave të konsumit që kanë origjinë importi. Sipas analizës së BSH-së, ekspertët bënë të ditur se kontributin kryesor në inflacionin total e kanë dhënë ushqimet e papërpunuara me 1.8 pikë përqindjeje dhe ato të përpunuara me 0.3 pikë përqindjeje. Ndërkohë që çmimet e administruara dhanë kontribut negativ prej 0.4 pikë përqindjeje duke kompensuar kontributin pozitiv të kategorisë shërbime. Të dhënat e analizuara nga ekspertët tregojnë se goditje relativisht të lehta nga krahu i ofertës apo edhe rritja e çmimit të naftës kanë gjetur reflektim në rritje të inflacionit të muajit maj. Ndërkaq të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se një vit më parë ndryshimi i indeksit të konsumit, ose inflacioni ishte 4.2 për qind. Gjatë muajit maj kryesisht sa i përket grupit të ushqimeve dhe pije joalkoolike pati një ulje prej 1.9 për qind dhe me një ndikim prej - 0.7 për qind në totalin e ndryshimit mujor.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›