E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Jo presionit ndaj nëpunësve

26/06/2009  Kreu socialist përmbylli fushatën elektorale në Lushnjë e Fier

“Rezultatin historik të 28 qershorit s’ka forcë që e përmbys me rrugë të paligjshme”

“Fitorja jonë do të jetë fitorja e një Shqipërie të re, do të jetë fitorja e një politike të re, do të jetë fitorja për të hapur një rrugë të re për veten tonë, për familjen tonë, për fshatin, për qytetin, për atdheun tonë, për Shqipërinë si gjithë Europa. Rezultatin historik të 28 qershorit nuk ka forcë që e përmbys me mjete dhe rrugë paligjshme”. Kështu u shpreh kreu socialist Edi Rama gjatë mitingut përmbyllës në qytetin e Lushnjës dhe atë të Fierit. Duke iu referuar sfidës së 28 qershorit, veç të tjerave kryetari i PS-së apeloi për një proces të qetë, pasi sipas tij në qytetin e Fierit PS-ja ka marrë sinjalizime për presion të vazhdueshëm të drejtorëve, shefave dhe drejtuesve të administratës ndaj nëpunësve të shtetit për të votuar kundër vullnetit të tyre. “Historia e nëpunësve të këtij shteti, baballarëve e nënave që rijnë me kokën ulur përpara një soji pushtetarësh që i prodhoi politika e vjetër, do të marrë fund më 28 qershor. Sepse nëpunësit e nëpunëset e këtij shteti nuk janë nëpunësit e nëpunëset e pushtetarëve, por janë nëpunësit e nëpunëset që shërbejnë për të gjithë qytetarët”, - u shpreh Rama gjatë fjalës së tij. Duke vazhduar në këtë linjë, Rama garantoi të gjithë nëpunësit e shtetit për të votuar të lirë, sepse askush nuk do t’ua prekë dot vendin e tyre të punës. “U them të gjithë mësuesve dhe mësueseve të qytetit të Fierit dhe të gjithë rrethit të Fierit: më 28 qershor shkoni pa frikë dhe votoni për Partinë Socialiste, sepse duke votuar për Partinë Socialiste, ju do t’i jepni fund një herë e mirë epokës së mësuesve dhe nxënësve të përdorur si kope për mitingjet e partisë në pushtet”, - nënvizoi Rama. Sipas tij, historia e mësuesve dhe mësueseve që kryeministri u përmend çdo ditë prej një viti rrogën që u ka rritur dyfish dhe tani në fund u thotë se do t’u heqë rrogën po nuk i dhanë votën, do të marrë fund më 28 qershor. “Unë garantoj solemnisht çdo mësues dhe mësuese të Fierit dhe të gjithë Shqipërisë se pas 28 qershorit mësuesi, mjeku, polici dhe nëpunësi i shtetit do të jenë simbole të paprekshme dhe do të jenë fytyra e shtetit të ri të fëmijëve tanë, të shtetit të ri të qytetarëve tanë dhe shtetit të ri të gjithë të moshuarve tanë, e shtetit të ri të Shqipërisë si gjithë Europa”, - premtoi kreu socialist. Njëkohësisht Rama garantoi se vota e shqiptarëve do të jetë e mbrojtur më 28 qershor dhe se fatin e kësaj beteje nuk ka mundësi ta ndërrojë askush. “Fati i kësaj beteje nuk ndërrohet me dhunë, nuk ndërrohet me lekë, nuk ndërrohet me vjedhje. Fati i kësaj beteje është shkruar në zemrën e një populli të tërë dhe zemrat e një populli as nuk mund të dhunohen, as nuk mund të blihen dhe as nuk mund të vidhen”, - u shpreh Rama. Në gjykimin e kryetarit të socialistëve kjo është beteja e familjeve që nuk kanë punë, kjo është beteja e Shqipërisë së gjunjëzuar nga varfëria, e sfilitur nga papunësia, e kërcënuar nga analfabetizmi, e gërryer nga korrupsioni.

Elbasan, mbyllet fushata

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, mbylli dje fushatën elektorale në qytetin e Elbasanit. Një ditë përpara gongut elektoral, kreu socialist rezervoi një takim të fundit me mbështetës dhe anëtarë të Partisë Socialiste në këtë qytet, ku rivuri dhe një herë në dukje prioritet e programit të ri qeverisës të partisë që ai drejton, jo vetëm për Elbasanin, por për të gjithë vendin. Ndërkohë ai u bëri thirrje të votojnë për Partinë Socialiste për të realizuar ndryshimin e shumëpritur,

Takimi Rama–Erdogan

Kryeministri turk Rexhep Taip Erdogan është takuar pasditen e sotme edhe me kreun e Partisë Socialiste, njëherazi kreu i Bashkisë së kryeqytetit, Edi Rama. Takimi është zhvilluar në Bashkinë e Tiranës. Kryeministri turk, ndërsa i ka uruar Ramës suksese në zgjedhjet e së dielës, ka vlerësuar zhvillimet e mëdha që ka pësuar kryeqyteti shqiptar. “Tirana po zhvillohet dita-ditës”, - është shprehur kreu i qeverisë turke. Kryebashkiaku Rama i ka dhuruar në shenjë miqësie kryeministrit turk “Çelësin e Tiranës”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›