OSSH: S’kemi aplikuar akoma për rritjen e çmimit të energjisë
Kreu i OSSH ka dashur të ftohë pak efektin e rritjes së çmimit të energjisë, duke theksuar se kjo kërkesë nuk është bërë akoma. Në një dalje publike, dje Seit Dollapi theksoi se është pikërisht ai që duhet të firmosë aplikimin në Entin Rregullator për rritjen e çmimit të dritave gjatë vitit 2010. “I vetmi subjekt i cili ka të drejtë të aplikojë për ndryshimin e çmimit të shitjes është OSSH, sipas modelit të tregut dhe vendimeve të ERE. Ju vë në dijeni ju dhe gjithë opinionin që OSSH nuk ka aplikuar për ndryshimin e çmimit, për rritjen e tij, nuk ka aplikuar dhe nuk do aplikoj për këtë proces”. Në fakt është e vërtetë që OSSH është kompania që duhet të aplikojë për rritjen e çmimit dhe se aktualisht kjo gjë s’ka ndodhur, por dihet tashmë se OSSH është privatizuar nga çekët e ÇEZ. Duhet që këta të fundit të tregojnë a kanë në plan të rrisin ose jo çmimin. Sidoqoftë, OSSH e administruar akoma nga shqiptarët duket se ka përmbushur disa kushte të tjera për frenimin e kërkesës për rritjen e çmimit. Dollapi theksoi dje se pas firmosje së privatizimit, treguesit e shpërndarjes së energjisë kanë pësuar përmirësime të ndjeshme. “Rezultatet e kompanisë edhe në këtë proces privatizimi janë jashtëzakonisht të mira. Krahasuar me vitin e kaluar kemi një rritje të arkëtimeve për të njëjtën periudhë, në familjare rreth 4 për qind, në privat rreth 12 për qind. Kemi një përmirësim të nivelit të humbjeve me rreth 1 për qind dhe kemi në përgjithësi arkëtimin në total në shkallë vendi, i cili është përmirësuar me rreth 4 për qind, krahasuar me tre mujorin e parë të vitit të kaluar”.
Deklarata e BB
Përfaqësuesit e Bankës Botërore deklaruan para pak ditësh se është e domosdoshme rritja e çmimit të dritave. “Nuk mund të them me saktësi se sa do të jetë rritja e çmimit. Tregu është i paqëndrueshëm, sikurse ndodh te nafta. Konsumi i energjisë varet nga kërkesa e privatit, i cili, në këto kohë krize, nuk po jep shenja pozitive. Në rastin më të mirë, çmimi i energjisë duhet të rritet me 6-8 për qind, kurse në rastin më të keq, shikojmë një nivel mbi 10 për qind”. Sidoqoftë, Banka Botërore parashikoi një skemë tjetër për uljen e çmimit, atë të heqjes së TVSH. “Politika i takon qeverisë, rreth vendimit për të mbështetur financiarisht familjet e varfra. Rritja e çmimit duhet të jetë për dy kategori. Një tjetër fakt i rëndësishëm lidhet me nivelin e taksës së TVSH-së për faturat e energjisë. Duhet rishikuar ky nivel prej 20 përqindësh”.