E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia apel bankave: Rrisni sigurinë, rrezik grabitjet

 

Grabitjet në rritje të filialeve të bankave në Tiranë dhe rrethe detyrojnë policinë të kërkojë shtimin e masave të sigurisë, me qëllim parandalimin e këtyre ngjarjeve kriminale. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, përmes një shkrese zyrtare i kërkon Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, marrjen e masave konkrete në drejtim të parandalimit të grabitjeve në banka. Letra e Prençit për Fullanin, përmban një ekstrakt të përgjithshëm të masave që Policia e Shtetit ka ideuar për forcimin e sistemeve të sigurisë dhe mbrojtjes nga vjedhjet në filialet e bankave. Dokumenti me instruksionet e detajuara policore për planin e shpëtimit, u është shpërndarë ndërkaq edhe drejtorive dhe komisariateve. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare, sipas të cilave, kreu i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, veç Guvernatorit Fullani, ua ka nisur shkresën e tij të gjitha bankave të nivelit të dytë. Plani i masave të policisë parashikon kalimin në skaner të shoqërive të ruajtjes fizike, që marrin përsipër ruajtjen e degëve të bankave me efektiva të policisë private. Këtyre punonjësve u kërkohet të jenë vigjilentë dhe operacionalë dhe të bashkëpunojnë me policinë në çdo rast kur konstatojnë veprime apo persona të dyshimtë pranë filialeve të bankave. Pika e dytë e “planit të shpëtimit” të hartuar nga policia, është evidentimi i plotë i të gjitha degëve të bankave e më pas, lidhja e tyre me komisariatin që mbulon zonën ku ndodhet filiali. Burimet zyrtare thanë se lidhja direkte mes filialit të bankës dhe komisariatit që mbulon zonën, jep mundësi që policia të shkojë më shpejt në vendin e ngjarjes kur ndodh një grabitje, e po ashtu mundëson organizimin e shpejtë të shërbimeve të kontrollit përreth zonës, me qëllim ndalimin e hajdutëve. Një tjetër pikë në planin e masave të sigurisë që parashikon policia, është sistemi fizik dhe elektronik i sigurisë në banka. Kamerat e vëzhgimit, sipas policisë, duhet të jenë cilësore dhe të mbulojnë çdo ambient brenda filialeve, në mënyrë që grabitësit të identifikohen lehtësisht nga pamjet e regjistruara. Policia vë në dukje se disa banka kanë probleme në këtë drejtim, pasi në disa raste grabitjesh kohë më parë, imazhet e fiksuara prej kamerave nuk mundësonin identifikimin e grabitësve. Nga ana tjetër, policia thekson se kasat e mbajtjes së parave duhet të ofrojnë më shumë siguri dhe të jenë më të përshtatshme për garantimin e parave në rast kërcënimi të punonjësve nga elementët kriminalë. Tri ditë më parë, filiali i një banke në afërsi të restorant “Durrësit” në Tiranë ra pre e grabitjes me armë. Persona të maskuar dhe të armatosur vodhën me dhunë 900 mijë lekë të reja, ndërsa efektivi i sigurisë u neutralizua nga njëri prej grabitësve që kërcënoi me armë. Gjatë këtij viti në Tiranë kanë ndodhur më tepër se katër grabitje bankash dhe disa pika këmbimi, ndërsa autorët ende nuk janë identifikuar.                       tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›