E Diel, 1 Nëntor 2026

Profesorët, qeveria rrit pensionet por i ul pagat

 

Qeveria ka marrë një vendim të dyfishtë për pagat dhe pensionet e profesorëve. Gazeta zbardh sot projektligjin që ndikon në rritjen e pensioneve dhe uljen e pagave për profesorët dhe asistent profesorët kudo që ata punojnë. Edhe pse grada e tyre jepet vetëm nga institucionet shtetërore, pagesat për pension suplementar janë ndarë në dy kategori, private dhe shtetërore. Sidoqoftë, shtesa që do të marrin mbi pensionin e të gjithë profesorëve arrin deri në katër pensione bazë, ose rreth 38 mijë lekë pas rritjes së pensioneve që pritet të bëhet në maj. Ligji, në rast se miratohet, do t’i shtrijë efektet nga data 1 janar 2010. Pra pensionet e reja do të shpërndahen vitin tjetër.
Pensionet
Sipas vendimit të qeverisë, profesorët dhe asistentët, përveç pensionit të pleqërisë do të marrin edhe pension suplementar. “Masa e pensionit suplementar është 1.3 për qind e pagës mesatare referuese për çdo periudhë njëvjeçare të ushtrimit të titullit “profesor” dhe 1.1 për qind të pagës mesatare referuese për çdo periudhë njëvjeçare të ushtrimit të titullit “asistent profesor”. Sidoqoftë, qeveria ka parashikuar që masa e këtij përfitimi suplementar në asnjë rast nuk duhet të jetë më e madhe se sa 4 pensione bazë pleqërie, dhe asnjëherë më e vogël se sa 6 për qind e pagës referuese.
Pagat
Por qeveria me një dorë e jep pensionin dhe me dorën tjetër e merr atë. Sipas ligjit të ri, për të përfituar pension suplementar, profesorët dhe asistentët që janë në punë duhet të paguajnë edhe kontribute shtesë. “Kontributet suplementare që paguhen në fondin e sigurimit suplementar shtetëror do të jenë; 3.5 për qind të pagës bruto, mujore për të punësuarit në institucionet publike dhe 7 për qind të pagës bruto, mujore për të punësuarit në institucionet jopublike”. E thënë më ndryshe, në rastin e një profesori që punon në shtet, për çdo vit pune që ai do të punojë pas miratimit të këtij ligji ai do të duhet të paguajë 3.5 për qind të pagës dhe të përfitojë vetëm 1.3 për qind si pension suplementar. Më i thellë bëhet raporti në rastin e profesorëve që punojnë në institucione jo-publike, ku ata derdhin çdo muaj 7 për qind të pagës dhe marrin pension vetëm 1,3 për qind.
Shembulli
Aktualisht paga e një profesori është rreth 80 mijë lekë në muaj. Profesori me ligjin e ri duhet të derdhë për sigurimet shoqërore suplementare 3.5 për qind të pagës, ose rreth 2800 lekë çdo muaj. Sipas ligjit, përfitimi i tij është 1.3 për qind të pagës referuese për çdo vit. Pra përfitimi i tij në këtë vit është rreth 1040 lekë në muaj. Një skemë e qartë kjo, e cila përkeqësohet edhe më shumë në rastin e profesorëve që punojnë në institucionet jopublike. Këta të fundit duhet të paguajnë në skemë 5600 lekë në muaj dhe të përfitojnë vetëm 1040 lekë në muaj. Nga skema përfitojnë ata që janë më afër moshës së pensionit, pasi do të paguajnë më pak dhe përfitojnë më shumë për të marr pension. Profesorët kanë pasur gjithmonë paga të larta dhe kontributet e tyre i lejojnë të marrin pensionin maksimal të pleqërisë. Sipas ligjit, pensioni maksimal është sa dyfishi i atij bazë. Me rritjen që parashikon qeveria në maj të këtij viti pritet që pensioni bazë të arrijë në 9500 lekë në muaj dhe pensioni maksimal në 19 mijë lekë në muaj. Sipas vendimit të fundit për profesorët, shtesa e tyre suplementare në pension nuk duhet të kalojë katër pensione bazë. Pra maksimalisht si suplementar profesorët do të marrin deri në 38 mijë lekë. Kjo shumë i shtohet pensionit të pleqërisë prej 19 mijë lekësh dhe pas miratimit të ligjit pensioni që do të marrin çdo muaj llogaritet maksimalisht në 57 mijë lekë.

Profesorët e Berishës, si ushtarakët e Nanos
Duket se qeveria Berisha po kopjon strategjitë e qeverisë së fundit të socialistëve. Vendimi për pensionet e profesorëve po miratohet në ekstremet e mandatit të demokratëve dhe i shtrin efektet më 1 janar 2010. Njësoj si parlamenti socialist me pensionet e ushtarakëve, që i miratoi në ditën e fundit të parlamentit në maj 2005 duke vendosur që efektet të fillonin më 1 janar 2006.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›