OSSH i pret energjinë spitalit në Laçit se nuk pagoi faturën afrofe
Operatori Sistemit të Shpërndarjes i ka prerë energjinë elektrike spitalit të qytetit të Laçit. Teknikët e OSSH kanë prerë lidhje me pretendimin e se spitali nuk ka shlyer detyrimet financiare ndaj kompanisë. Ndërkohë që fatura e energjisë për spitalin për muajin
e shkuar ishte 5 milion e 8 mijë lekësh të vjetra. Fatura afrofe është bërë shkak për nisjen e një procesi gjyqësor mes spitalit dhe OSSH. Drejtuesit e spitalit kanë paditur kompaninë çeke për mbifaturimin dhe dosja ndodhet në proces shqyrtimi në Gjykatën e Laçit. Burime nga spitali bëjnë të ditur se dritat janë ndërprerë pa asnjë paralajmërim për 12 orë me radhë.
Ndërprerja
Elektricistët e OSSH kanë prerë dje në mëngjes kabullin që furnizonte me energjisë Spitalin e Laçit. Drejtuesit e institucionit nuk kanë vënë në dijeni për masën ekstreme të Operatorit të Shpërndarjes. Madje elektricistët kanë pohuar se kishin marrë urdhër për ndërprerjen e energjisë deri në shlyerjen e faturës nga spitali. Fatura afrofe prej 5 milion e 800 mijë lekësh nuk është pranuar nga spitali pasi është konsideruar si shumë e lartë.
Drejtori
Sipas drejtorit të spitalit Lulash Aroni, njoftimi është dhënë nga vetë inspektorët e OSSH-së. Drejtuesit e spitalit kanë hapur një çështje gjyqësore për shkak se spitalit i është faturuar energjia afrofe ku për një muaj duhet të paguaje 580 mijë lekë. Aktualisht janë mbi 60 të sëmurë të shtruar në këtë spital të cilët do qëndrojnë pa energji elektrike.
Kërcënimi
OSSH do tu dërgojë të gjithë abonentëve debitorë një shkresë zyrtare në të cilën renditen masat që kompania do të ndërmarrë në rast se nuk shlyhet borxhi brenda 72 orësh.
Përmes këtij njoftimi ne i sugjerojmë konsumatorit të respektojë afatin që përcakton kjo shkresë zyrtare që do tu dërgohet abonentëve debitorë. Në rast të mosrespektimit të afatit 72 orësh që përcakton kompania, atëherë kompania është e detyruar të marrë masa ekstreme të cilat janë: Ndërprerja e energjisë elektrike, demontimi i linjës së furnizimit pra lënia pa kontratë furnizimi, njëkohësisht dërgimi në prokurori i të gjitha rasteve të konsumatorëve që rilidhin energjinë elektrike pa miratimin e organeve të OSSH-së. shpjegon Oligert Kume, drejtor i projektit të arkëtimeve në OSSH. Një tjetër element i projektit është krijimi i policisë private për mbrojtjen e punonjësve të OSSH-së dhe rrjetit të shpërndarjes si dhe publikimi i emrave të konsumatorëve debitorë, një masë kjo që do të prekë direkt imazhin e tyre.
Matësit
Në 30 prilli është afati i fundit që Enti Rregullator i Energjisë i ka lënë Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes për eliminimin e faturimit afrofe. Nga të dhënat rezulton se kanë mbetur dhe 80 mijë abonentë pa matës të cilët duhet të pajisen brenda këtij muaji. Në rast se nuk respektohet afati atëherë kompani do të gjobitet. Nga informacioni i fundit që kemi marrë në kontakt me OSSH, ata kanë deklaruar se do ta plotësojnë angazhimin e tyre që deri në 30 prill të pajisin me matës të gjithë konsumatorët. Ky natyrisht është një detyrim me përgjegjësi sepse në rast se nuk e plotësojnë atëherë në bazë të vendimit të ERE , pas 30 prillit nuk njihet faturimi afrofe u shpreh Nepravishta. Kryetari Entit Rregullator të Energjisë, Bujar Nepravishta ka deklaruar në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese se eliminimi i faturimit afrofe do të çojë në kursimin e 200 milionë kilovat/orëve energji. Kjo pasi konsumatorët që nuk kanë matës shpenzojnë shumë më tepër energji se sa vlera e afrofesë. ERE e ka shtyrë disa herë afatin për eliminimin e faturimit afrofe, kjo për shkak të problemeve që ka hasur OSSH-ja gjatë pajisjes së abonentëve me matës.
OSSH: Spitali debitor, e kishim paralajmëruar
OSSH ka reaguar menjëherë pas lajmit për ndërprerjen e energjisë në elektrike spitalit të qytetit të Laçit. Sipas një njoftimi për shtyp mësohet se Spitali Laçit është debitor për më se një vit dhe aktualisht ka një debi 6 737 000 lekë (të reja) ndaj kompanisë OSSH. Spitali është njoftuar disa here u i është kërkuar arritja e një marrëveshjeje për fillimin e pagimit të këtij borxhi të akumuluar bëjnë të ditur burimet zyrtare nga OSSH. Sipas njoftimit mësohet se drejtori i OSSH i njësisë Kurbin Prengë Lala ka kontaktuar me drejtorin e spitalit Lulash Aroni në praninë e kryetarit të bashkisë Laç Luigj Isufi për ta qartësuar për detyrimin që spitali ka kundrejt OSSH. Ndërkohë mësohet se është njoftuar gjithashtu edhe nënprefekti Gjergj Oroshi dhe deputetja e zonës Pavlina Hoti, me qëllim gjetjen e bashkëpunimit. Më pas administratës së spitalit me datë 19.04.2010 në orën 14.30 është ndërprerë energjia elektrike deri në orën 18.45. Më tej është rilidhur me qëllim që ti lihet kohë për të shlyer detyrimet këtij institucioni. Dje në 10.30 është rindërprerë energjia elektrike për tu rilidhur po në të njëjtën ditë në orën 21.05 për arsye të një urgjence. Qe nga ai moment spitali ka vazhduar te furnizohet me energji elektrike, edhe pse, pas një kontrolli të kryer janë gjetur shkelje në sistemin matës, të cilat tashme janë dokumentuar.