E Diel, 1 Nëntor 2026

“KLD hetim 5 gjyqtarëve që liruan mjekët”

Pas gjyqtarëve të Delijorgjit, radha u vjen gjyqtarëve që lirojnë mjekët. Shtypi i shkruar shqiptar ka njoftuar sot në faqet e para se ka filluar një hetim urgjent për gjyqtarët që "liruan" nga qelia mjekët e akuzuar për korrupsion. 

TIRANE-Këshilli i Lartë i Drejtësisë (KLD) “mpreh sërisht shpatën”. Pas gjyqtarëve të Delijorgjit, radha u vjen gjyqtarëve që lirojnë mjekët. Shtypi i shkruar shqiptar ka njoftuar sot në faqet e para se ka filluar një hetim urgjent për gjyqtarët që "liruan" nga qelia mjekët e akuzuar për korrupsion.
Media e shkruar i referohet për këtë burimeve zyrtare nga KLD-ja. Sipas tyre nën "akuzë" ndodhen pesë gjyqtarë, dy nga Shkalla e Parë dhe tre nga Gjykata e Apelit, të cilët brenda pak javëve kanë "liruar" tre mjekë, megjithëse prokuroria dispononte prova të pakundërshtueshme për arrestimin e tyre.

Kështu si rasti më flagrant për inspektorët e KLD-së është vendimi i Gjykatës së Tiranës për mjekun Agim Karaj.

Po kjo gjykatë, me të njëjtat prova, vendosi dy masa të ndryshme, arrest në burg dhe arrest shtëpie, ç’ka cilësohet nga këshilli si precedent i rrezikshëm i drejtësisë shqiptare.

Burimet thanë se janë marrë të gjitha materialet dhe po verifikohen. Nëse ka parregullsi në dhënie vendimi nga gjyqtarja Mariana Dedi që ndiqte këtë cështje, atëherë mund të merren masa.

Rasti i dytë i "hetimit" nga KLD-ja është për gjyqtarin që liroi nga qelia mjekun Ardian Nelaj. Për këtë rast, bazuar dhe në oponencën e prokurorisë, KLD-ja tha se i ka kërkuar Gjykatës së Tiranës të gjitha pretendimet ligjore të gjyqtarit në fjalë.
Gjithsesi, para këtij veprimeve inspektorët e KLD-së do të marrin edhe mendimin e gjyqtareve në fjalë.

Krahas dy rasteve të mësipërme, burimet nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë deklarojnë se kanë marrë nën "hetim" tre gjyqtarët që liruan nga burgu mjekun Kastriot Dautaj.
Ndërkohë KLD në disa mbledhje të saj pak ditë më parë shkarkoi dhe pezulloi nga detyra disa gjyqtarë të cilët ishin kapur me shkelje ne detyrë.
(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›