OSSH ndëshkon në Vlorë 80 debitorë

OSSH, ka ndëshkuar gjatë 10 ditëve të fundit, 80 konsumatorë familjarë dhe subjekte private, që rezultonin debitorë për periudha të ndryshme kohore. Burime zyrtare nga njësia e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes për Vlorën, bënë të ditur se, ndëshkimet ndaj konsumatorëve, u kryen në kuadrin e një aksioni disa ditor, gjatë të cilit u aplikuan sanksione financiare, ndërprerje të furnizimit me energji etj. Sipas burimeve, përmes këtyre veprimeve, synohet të rriten treguesit e arkëtimeve të energjisë së konsumuar, si dhe pakësimi i nivelit të humbjeve në rrjet. Grupet e posaçme të specialistëve, operojnë mbi bazën e një grafiku të caktuar, duke u përqëndruar kryesisht në zonat periferike, ku edhe arkëtimet janë më problematike. Aksioni është pjesë e strategjisë së OSSH për Vlorën, ku po zbatohet një program i gjerë masash për përmirësimin e treguesve në furnizimin me energji elektrike dhe rritjen e arkëtimeve, ku përfshihen edhe ndërprerja e furnizimit dhe sanksione të tjera administrative. Për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve, aktualisht ofrohet shërbim i pandërprerë për arkëtimet dhe sportelet funksionojnë edhe në fundjavë. Aksioni i nisur 10 ditë më parë, pritet të vazhdojë edhe në javën në vijim. Për një pjesë të debitorëve, më problematikë, nuk përjashtohen edhe sanksione të tjera ligjore, sikundër janë penalitetet në organet e drejtësisë. Në fund të 3 mujorit të parë të këtij viti, niveli i arkëtimeve në qytetin e Vlorës, e kaloi atë të 90 përqindshit, ndërsa ai i humbjeve në rrjet, arriti në rreth 34 përqind.
...