E Diel, 1 Nëntor 2026

Rryshfeti, gjyqtari Hasa paraqitet në Prokurori

 

TIRANE - Qani Hasa, gjyqtari i Elbasanit i akuzuar për "korrupsion pasiv", u paraqit dje në Prokurorinë e Tiranës ku kërkoi të njihej me dosjen hetimore në ngarkim të tij. I kontaktuar dje nga gazeta Hasa pohoi se ishte paraqitur vullnetarisht në prokurori, duke kërkuar që t'i vihej në dispozicion materiali hetimor në ngarkim të tij. Po kështu, ai pohoi se ishte njohur edhe me faktin se denoncuesi i tij ishte një person me emër të rremë, duke bërë që të lindnin dyshime për vërtetësinë e kallëzimit. "Prej dy vitesh e gjysmë ndodhem në tension, i cili më është shkaktuar nga akuza që është ngritur ndaj meje. Unë nuk e kam idenë se çfarë kam bërë dhe çfarë prove ka kundër meje. Kjo është poshtërsi dhe dashakeqësi ndaj meje. Prej një jave rresht paraqitem në prokurori dhe kërkoj provat, ndërsa prokurori që po heton çështjen vetëm dje më tha se mund të m'i jepte nga java tjetër provat. Më ta se i duhej kohë derisa t'i përgatiste", pohoi gjyqtari Hasa, i cili më tej shtoi se për shkak të publikimit të lajmit të shkarkimit të tij në media, prej disa ditësh nëna e tij e moshuar ka pësuar tronditje të rëndë duke përfunduar në spital. "Vetëm dje kishte mbërritur në Gjykatën e Elbasanit fletëthirrja e prokurorisë për mua", tha Hasa, duke përfunduar se kjo nuk ishte e nevojshme, pasi ai vetë vullnetarisht ishte paraqitur një javë rresht në prokurori.                                                                             fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›