E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, Pinari, Delijorgji e Minxolli pranojnë dosjen

 

TIRANE - Mihal Delijorgji, Ylli Pinari dhe Dritan Minxolli tentojnë të shmangin rrezikun e burgimit të përjetshëm për akuzën e "vrasjes masive", ngritur ndaj tyre në dosjen "Gërdeci". Kërkesa u paraqit në seancën e djeshme në ngarkim të 29 të pandehurve, mes të cilëve edhe personi juridik "Albademil sh.p.k", në Gjykatën e Tiranës. Sipas mbrojtësve ligjorë të tre të pandehurve, të cilët që prej arrestimit të tyre pas shpërthimit në Gërdec mbahen në qeli, çështja mund të gjykohet në gjendjen në të cilën ndodhen aktet. Ndërsa të pandehurit e tjerë pretenduan pafajësi, duke pohuar se akuzat e ngritura ndaj tyre ishin të pambështetura në ligj dhe në prova. Prokuroria nuk e mbështeti kërkesat dhe pretendimet e mbrojtjes, ndërsa gjykata do të shprehet me vendim në seancën e radhës, e cila u caktua të mërkurën e ardhshme. Me 25 minuta vonesë nga orari i paracaktuar, Gjykata e Tiranës filloi dje seancën e radhës të dosjes "Gërdeci", në të cilën gjykata u njoh me parashtrimet hyrëse të avokatëve. Në kafazin e hekurt të sallës së gjyqit ishte i pranishëm vetëm i pandehuri Sokol Gjeci, ndërsa tre të arrestuarit e tjerë të kësaj dosjeje, Mihal Delijorgji, Ylli Pinari dhe Dritan Minxolli, përfaqësoheshin nga avokatët e tyre. "Kërkojmë nga gjykata gjykim me kohë të shkurtuar për klientin tim. Gjykojmë se çështja mund të zgjidhet në gjendjen në të cilën ndodhen aktet" shqiptuan njëri pas tjetrit përballë gjykatës avokatët e të pandehurve Pinari, Delijorgji dhe Minxolli. Nëse gjykata do të pranojë në seancën e ardhshme kërkesën e tyre, atëherë ata do të veçohen nga pjesa tjetër e të pandehurve. Gjithashtu, për shkak të uljes së dënimit që garanton gjykimi me kohë të shkurtuar, me këtë "manovër" të cilësuarit si "arkitektë" të Gërdecit, shmangim rrezikun për burgim të përjetshëm, në rast se gjykata i gjen ata fajtorë për akuzën e "vrasjes masive". Përveç tre të arrestuarve, kërkesë për gjykim të shkurtuar dje për klientët e tyre kërkuan edhe mbrojtësi i të pandehurës Juliana Margariti dhe personit juridik "Albademi" sh.p.k. Avokatët e të pandehurve të tjerë, kryesisht ushtarakë, pretenduan pafajësi për klientët e tyre, me argumentin se akuzat janë të paprovuara dhe të pambështetura në ligj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›