E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdes babai i viktimës së Gërdecit

 

Etleva Delia

Ndërron jetë në spital babai i një prej viktimave të tragjedisë së Gërdecit. Viktima është Kujtim Osmani, 43 vjeç, babai i Resmie Osmanit, e cila mbeti e vdekur nga shpërthimi i 15 marsit të vitit të kaluar në fabrikën e armëve ku ajo punonte. Duket se traumat e pos tragjedisë por edhe papunësia kanë ndikuar në vdekjen e 43-vjeçarit. Burime nga policia e kryeqytetit thanë se Kujtim Osmani është transportuar dje në mëngjes në repartin e Toksikologjisë të Spitalit Ushtarak, në kushtet e një helmimi të rëndë. Fillimisht nga mjekët toksikologë është përcaktuar se Osmani kishte konsumuar sasi të madhe alkooli dhe ishte në gjendje kritike për jetën. Por pas disa orësh ai ka ndërruar jetë, duke shënuar një tjetër tragjedi në familjen e tij në Gërdec.
Vetëhelmimi
Burime nga policia nuk përjashtojnë mundësinë që Kujtim Osmani të jetë vetëhelmuar, pasi ka humbur vendin e punës, por edhe nga traumat e kaluara vitin e kaluar pas tragjedisë ku humbi jetën e bija. Osmani kishte punuar si pastrues në Bashkinë e Vorës, por prej disa ditësh ishte pushuar nga puna dhe ishte në pritje të një riemërimi. Gjendja depresive nga papunësia e ka shtyrë atë të vetëhelmohet, duke pirë alkool të shoqëruar me ilaçe që merrte vazhdimisht nga depresioni. Gjendja e vështirë ekonomike e kishte detyruar Kujtim Osmanin, të apelonte disa herë për ndihmë, por dje ai nuk ka mundur ta përballojë më situatën. Burime nga policia thanë se që prej një viti Osmani kishte filluar të konsumonte sasi të mëdha pijesh alkoolike dhe pothuajse çdo ditë kthehej në shtëpi në gjendje të dehur. Punonjës të Bashkisë së Vorës, ku ai ishte i punësuar deri para disa ditësh, kanë deklaruar për policinë se edhe shkarkimi i tij nga puna ka ardhur pikërisht pasi ai konsumonte shumë alkool. Trupi i pajetë i 43-vjeçarit është dërguar në Morgun e Tiranës, ku do i nënshtrohet ekspertizës mjeko-ligjore, që do të përcaktojë shkakun e vërtetë të vdekjes së tij. Gjithashtu pritet që të dalin edhe analizat përfundimtare të ekspertimit toksikologjik.
Tragjedia
Familja e Kujtim Osmanit është pjesë e banorëve të prekur nga tragjedia e Gërdecit, që veç vdekjes së vajzës, iu shtua edhe gjendja e vështirë ekonomike, aq sa u detyrua të punonte si pastrues në bashki. Prej vdekjes së vajzës së tij 18-vjeçare e cila punonte në fabrikën e Gërdecit, Kujtim Osmani sipas dëshmitarëve e kujtonte çdo ditë atë, madje gjithnjë shkonte tek varri i saj. Disa banorë të Gërdecit kanë pohuar për policinë se viktima është parë shpeshherë të qante kur kujtonte vajzën e tij, e cila humbi jetën tragjikisht në fabrikën e Gërdecit.

Familjarët: Kujtimi u vetëvra nga papunësia

TIRANE - Të afërmit e Kujtim Osmanit kanë hedhur poshtë pretendimet e mjekëve për alkoolizimin e 46-vjeçarit. Familjarët e viktimës pohojnë se 46-vjeçari vazhdimisht kujtonte vajzën e tij, të vdekur si pasojë e tragjedisë së Gërdecit. Prej asaj kohe babai i viktimës kishte kaluar në gjendje thuajse depresive, pasi vazhdimisht qante. Ndërkohë dëmtimi i banesës si pasojë e shpërthimit të fuqishëm që shkatërroi mijëra banesa në zonë, ka shkaktuar një tjetër traumë te 46-vjeçari. Familjarët kanë thënë se pika kulmore e kësaj gjendje të rëndë arriti një javë më parë, pasi Kujtim Osmani mësoi se ishte shkarkuar nga puna në Bashkinë e Vorës. Ai kishte punuar aty si pastrues, por me pretendimet se konsumonte pije alkoolike ishte larguar nga detyra një javë më parë, duke e përjetuar keq këtë ngjarje për shkak të vështirësive financiare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›