Banka e Shqipërisë: Kursi i këmbimit po rrit çmimet e ushqimeve në treg
Banka e Shqipërisë, vëren se është kursi i këmbimit ai që po i shtrenjton çmimet e ushqimeve në Shqipëri. Sipas raportit të fundit, çmimet e huaja u rritën mesatarisht me 0.4 për qind, ndërsa leku u nënçmua mesatarisht ndaj euros dhe dollarit përkatësisht me 7.7 dhe 13.1 për qind në tremujorin e tretë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Diferenca e inflacionit në vend me mesataren e inflacionit të Italisë dhe Greqisë është rritur ndjeshëm gjatë dy tremujorëve të fundit. Ajo shënoi nivelin më të lartë në tremujorin e tretë (1.8 pikë përqindje), ndërkohë që ka rezultuar thuajse zero gjatë periudhës 2005 - 2008. "Zgjerimi i këtij hendeku shoqëruar me sjelljen nënçmuese të kursit të këmbimit mund të përbëjnë burim presionesh inflacioniste në të ardhmen. Pavarësisht niveleve të ulëta të çmimeve të huaja, inflacioni i importuar ka ardhur në rritje si pasojë e nënçmimit të lekut gjatë këtij viti. Veprimi i këtij faktori është ndjerë kryesisht në inflacionin e grupit "Ushqime dhe pije joalkoolike" dhe në komponentin e inflacionit të sektorit të mallrave të tregtueshme. Megjithëse çmimet e ushqimeve në Itali dhe Greqi janë rritur me norma të ulëta rritjeje përkatësisht me rreth 1.1 dhe 2.0 për qind në tremujorin e tretë, dobësimi i lekut ndaj euros në terma vjetorë ka frenuar përcjelljen e rënies së kostove të importuara në ekonominë e vendit."
Tregtia e jashtme
Sipas Bankës së Shqipërisë, analiza e zhvillimeve të tregtisë së jashtme për periudhën janar gusht 2009 dëshmon për një rënie të shkëmbimeve tregtare me përafërsisht 10 për qind në terma vjetorë. Për pasojë, deficiti tregtar u ngushtua me rreth 4 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2008 dhe mbulimi i importeve nga eksportet arriti në nivelin 24 për qind. Në total, vlera e importeve dhe e eksporteve rezultoi me rënie vjetore gjatë kësaj periudhe me përkatësisht 7.7 dhe 19.2 për qind. Një tablo e ngjashme paraqitet edhe përsa i përket dinamikës afatshkurtër të treguesve të tregtisë në mallra. Muaji gusht 2009 regjistron tkurrje të aktivitetit tregtar të Shqipërisë me botën. Shkëmbimet tregtare vijojnë prirjen rënëse të vërejtur që prej muajit janar. Deficiti tregtar u ngushtua më tej me rreth 11 për qind në terma vjetorë dhe rreth 3 për qind në terma mujorë. Mbulimi i importeve nga eksportet shënon vlerën 21.4 për qind ose 2.4 pikë përqindjeje më i ulët se e njëjta periudhë një vit më parë.
Sektori i jashtëm
Sipas bankësn, bilanci i përgjithshëm i pagesave rezulton në një shtim të mjeteve valutore prej 142 milionë euro. Deficiti i llogarisë korente u ngushtua lehtësisht në terma nominalë vjetorë dhe treguesi i tij relativ ndaj PBB-së vlerësohet në 16.7 për qind. "Ndërkohë, deficiti i tregtisë në mallra arriti në 567 milionë euro dhe vlerësohet në 29.5 për qind e PBB-së. Dërgesat nga emigrantët shënuan një rënie vjetore prej 4.4 për qind dhe financuan 35 për qind të deficitit tregtar në mallra. Investimet e huaja direkte (fluksi hyrës) regjistruan këtë tremujor rritje vjetore të lartë (prej rreth 2.6 herë), kryesisht si rezultat i gjenerimit të të ardhurave nga privatizimet e kryera."