OSSH, test aftësie për 6400 punonjës
FIER/ MAJLINDA RAMA
OSSH në Fier ka vendosur të testojë punonjësit e saj e më pas të mbajë në punë vetëm ata, që do të kalojnë klasën. Rreth 6400 punonjës të kësaj ndërmarrje do të jenë në ankth gjer në fund të muajit prill kur ata do të kalojnë në “sitën” e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Ata do të merren në provim nga ku do testohen aftësitë profesionale, rezultatet në punë, etika me abonentët etj. Pas këtij provimi, OSSH-ja do të vendosë se cilët prej punonjësve të saj i plotësojnë këto kritere dhe cilët jo. Këta të fundit do të jenë të detyruar të dorëzojnë çelësat dhe rrjedhimisht do të mbeten pa punë. Ky vendim i OSSH-së i ka trembur punonjësit e kësaj ndërmarrjeje, por gjithsesi ata nuk pranojnë të shprehen në lidhje me këtë. Kreu i kësaj ndërmarrjeje në qytetin e Fierit Arjan Bibo, sqaroi se punonjësit do të merren në një provim, i cili synon nxjerrjen në pah të aftësive të gjithsecilit në menaxhimin e vendit të punës, si dhe realizimin e detyrave të ngarkuara. Sipas tij, fundi i prillit do të jetë koha e testimeve për të gjithë punonjësit e Operatorit të Sistemit Shpërndarës në Fier. Testimi e punonjësve synon rezultatet e tyre në punë, Kodi i Etikës, marrëdhëniet që kanë punonjësit me abonentët dhe aftësitë profesionale të tyre. “Ky testim bëhet dhe ka për bazë rezultatet në punë, sepse OSSH-ja, si ndërmarrje e madhe që është, ka njerëz të aftë por edhe të paaftë që marrin rrogën kot sepse nuk kryejnë detyrat. Pikërisht për këto detyra, do të vihen në provë të gjithë punonjësit dhe ata me aftësi më të mira do të vijojnë punën. Mosrealizimi i detyrave vjen si pasojë edhe i abuzimeve në rrjet dhe si rezultat i mungesës së aftësive të punonjësve tanë. Ne kemi pasur raste ku nuk realizohet plani, ka neglizhenca etj”, u shpreh kreu i OSSH-së në Fier, Arjan Bibo. Ai theksoi faktin se ka pasur edhe raste kur sjellja e punonjësve të OSSH-së nuk është në lartësinë e duhur me abonentët pa llogaritur këtu edhe aftësitë e tyre profesionale në punë. “Ka punonjës që janë futur në punë në sajë të mikut dhe jo aftësisë profesionale”, u shpreh ai. Bibo shtoi edhe problematikën e defekteve gjatë kryerjes së detyrave në këtë institucion. Rreth 40 punonjës në terren, apo në administratën e saj janë paralajmëruar për pushim nga puna, pasi janë gjetur shkelje dhe abuzim me detyrën në faturim të energjisë apo në cenim të sistemit të matjes dhe lidhjeve të paligjshme të padeklaruara. Sipas Bibos, u është komunikuar pushimi nga puna 2 punonjësve, të cilët nuk kanë realizuar planin, e ndërsa janë vërejtur shkelje edhe në moskryerjen e detyrave funksionale. Me privatizimin e sistemit mendohet se të gjitha këto probleme do të reduktohen dhe fillimisht është nisur me provën e parë që është testimi i çdo punonjësi.