E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet i dyti i granatës në Selenicë

 

VLORE - Arrestohet në Tiranë personi i dytë i shpallur në kërkim për hedhjen e një granate në qytezën e Selenicës, ku mbetën të plagosur tre persona. Romeo Rustemi u prangos pasi blutë e Vlorës e shpallën atë në kërkim. I riu u largua menjëherë pas ngjarjes me qëllim që t’i fshihej policisë. Mësohet se Rustemi kishte udhëtuar gjer në Ballsh e më pas është larguar me mjetet e transportit të linjës drejt Tiranës. Policia e Vlorës iu kërkoi ndihmë edhe policive të tjera nëpër rrethe për prangosjen e tij. Pas 36 orë ndjekje është lokalizuar vendndodhja e më pas u bë edhe arrestimi i tij për plagoje të rëndë me dashje. Ngjarja për të cilën akuzohet i riu ndodhi rreth orës 22:30 të së premtes në një nga lokalet e lojërave të fatit në Selenicë. Gjashtë shokë u konfliktuan dhe u ndanë në dy grupe rivale. Kur pala kundërshtare po dilte nga lokali, të rinjtë hodhën një granatë, duke lënë të plagosur Ervis Alushin, Gentian Abazin dhe Edison Ademin. Autorët, Mikel Harizaj vëllai i tij Agim Harizaj dhe Romeo Rustemi janë larguar menjëherë nga vendngjarja. Policia arriti të arrestonte pas ngjarjes Agim Harizaj. Pas prangosjes së Rustemit, tashmë në kërkim është Mikel Harizaj. q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›