Vrasësi i 2 policëve, s‘pranohet ekspertiza
TIRANE – Prokuroria e Krimeve të Rënda pritet të refuzojë kërkesën e avokatit të Afrim Hasanit, i cili kërkoi ekspertim mendor për klientin e tij të akuzuar për vrasjen e dy oficerëve të policisë së Kukësit. Kërkesa e avokatit është dorëzuar në formë shkresore pak ditë më parë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, e cila po zhvillon hetimet për vrasjen e dy oficerëve, Ramadan Hila e Shkëlzen Dobrushi. Avokati i të akuzuarit për krimin e dyfishtë pretendon se klienti i tij ka probleme mendore, të cilat i ka shfaqur pas arrestimit në deklarimet që ka dhënë për ngjarjen si dhe në sjelljen e tij. Ndërkaq kërkesa për ekspertim mendor është paraqitur prej avokatit edhe në Gjykatën e Krimeve të Rënda gjatë caktimit të masës së arrestit ndaj Afrim Hasanit. Togat e zeza e rrëzuan këtë kërkesë si të pa argumentuar, pasi gjendja mendore e të akuzuarit për vrasjen e policëve ishte normale. Duke iu referuar vendimit të dhënë nga Gjykata, Prokuroria pritet të refuzojë kryerjen e ekspertimit mendor për Afrim Hasanin, i cili pritet të përballet me katër akuza nga vrasja për cilësi të veçanta e policëve deri te shkatërrimi i pronës, fyerja për shkak të detyrës dhe armëmbajtja pa leje.