Tiranë, vritet me silenciator emigranti
Etleva Delia
Emigranti i sapokthyer nga Greqia ekzekutohet në mënyrë mafioze Tiranë. Ardian Tahiri, 28 vjeç, nga Fieri është vrarë me një plumb të vetëm në kokë. Ngjarja ndodhi të shtunën rreth orës 23:30, pranë një lokali në afërsi të “Pallatit me Shigjeta”, tek Ura Teknologjike, në kryeqytet. Viktima e atentatit, Ardian Tahiri është qëlluar për vdekje nga persona ende të paidentifikuar, sapo ka dalë nga lokali. Policia dyshon se krimi është një vrasje me pagesë për larje hesapesh. Blutë e kryeqytetit kanë nisur hetimet për të zbardhur aktivitetin e viktimës, i cili dyshohet se ka pasur implikim në trafiqe të paligjshme. Gjithashtu sipas grupit hetimor të Seksionit të Krimeve Kundër Jetës dhe Shëndetit, mësohet se aktualisht po hetohet edhe në lidhje me disa vrasje që kanë ndodhur në qytetin e Fierit në periudha të ndryshme kohore, mes grupeve rivale. Ardian Tahiri është një nga kushërinjtë e Fatmir Tahirit, pronarit të kompleksit “Fari” në Tiranë dhe drejtues i disa bizneseve në Fier. Ai ka pasur probleme me drejtësinë për akuzën e akuzën e trafikut të qenieve njerëzore, e cila është shfuqizuar nga gjykatat. Deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, policia shoqëroi disa persona, kryesisht dëshmitarë, por ende nuk ka asnjë të dyshuar për vrasjen e emigrantit 28-vjeçar. Hetimet janë përqendruar kryesisht aktivitetin e Ardian Tahirit dhe lidhjet e tij me disa ngjarje, që kanë ndodhur në qytetin e tij të lindjes.
NGJARJA
Rreth orës 23:30 të së shtunës, Ardian Tahiri, i kthyer nga Greqia pak ditë më parë, ka qenë duke dalë nga një lokal, pranë Urës Teknologjike, në rrugën e Kavajës, në Tiranë, kur është qëlluar për vdekje me një plumb në kokë. Askush nga personat që ndodhej brenda në lokal nuk ka mundur të shohë dhe as të dëgjojë asgjë, pasi arma me të cilën është qëlluar 28-vjeçari ka qenë një pistoletë me silenciator. Atentatori menjëherë sapo ka realizuar “objektivin” është larguar nga vendi i ngjarjes. Disa klientë të lokalit, ku ndodhej Ardian Tahiri, kanë dalë jashtë dhe e kanë parë viktimën të shtrirë në tokë. Ata kanë lajmëruar menjëherë policinë e Komisariatit Nr.2. Sipas burimeve të hetimit nuk ka qenë i nevojshëm transportimi për në spital i emigrantit, pasi viktima kishte ndërruar jetë menjëherë. Policia ka lajmëruar familjarët e tij, në Fier ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Morgun e Tiranës. Ndërkohë policia e kryeqytetit ka ngritur postblloqe në të gjitha rrugët dalëse të Tiranës, si dhe në zona pranë vendit të ngjarjes, por pa arritur të kapë autorin. Në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, janë shoqëruar dhjetëra persona, në cilësinë e dëshmitarëve, por nuk kanë mundur të japin asnjë detaj të rëndësishëm për këtë ngjarje. Autori, duke u ndihmuar edhe nga errësira, por edhe nga arma antizhurmuese, ka mundur të largohet lehtësisht nga vendi i ngjarjes. Në vendin e ngjarjes është gjetur vetëm një gëzhojë pistolete dhe asnjë shenjë tjetër, që mund të ndihmojë oficerët e policisë për hetimin e ngjarjes.
Policia: Po hetojmë hakmarrjen për krime të ndodhura në Fier
TIRANE - Pas verifikimeve që ka kryer policia pas vrasjes së Ardian Tahirit, në bashkëpunim edhe me Interpolin dhe policinë greke, emri i tij nuk rezulton i skeduar për ndonjë aktivitet kriminal. Ai jetonte në Greqi me dokumente të rregullta dhe sapo ishte kthyer të vizitonte familjen në Fier. Ardian Tahiri është nga fisi i kosovarëve që jetojnë prej shumë vitesh në Fier. Emigranti 28-vjeçar është kushëriri i një biznesmeni, i cili është akuzuar nga drejtësia shqiptare për trafik dhe shfrytëzim prostitucioni. Gjithashtu, policia e Tiranës ka kërkuar disa të dhëna nga policia e Fierit, për disa ngjarje, vrasje dhe plagosje që kanë ndodhur në periudha të ndryshme kohore në Fier dhe për të cilat ka pasur dyshime se janë kryer nga grupet rivale, pasi mes tyre ka pasur gjithmonë konflikte të vazhdueshme. Për policinë e kryeqytetit, kjo është pista e vetme mbi të cilën po hetohet për vrasjen e Ardian Tahirit mbrëmjen e së shtunës në kryeqytet. Pritet që të merren në pyetje edhe të afërm të tij, të cilët pritet të hedhin dritë më shumë mbi veprimtarinë dhe aktivitetin e 28-vjeçarit, si dhe të sqarojnë konfliktet e mundshme, që ai mund të ketë pasur në Fier apo edhe në Greqi. Ndërkohë, nuk përjashtohet edhe mundësia e prishjes së pazareve për ndonjë aktivitet që emigranti mund të ketë pasur në shtetit helen. e.d