Turni i tretë, 7 për qind shtesë policëve
Nëse deri dje punonjësit e policisë që nuk merrnin në kohë orët e natës dhe pagesën shtesë për vështirësi në punë, e kalonin këtë fakt në pritje, tashmë ata mund t’i drejtohen edhe gjykatës, madje mund të marrin edhe 7 për qind më shumë të vlerës, për çdo ditë vonesë. Ky ndryshim është parashikuar nga Sindikata e Punonjësve të Policisë së Shtetit, në kontratën që është firmosur në fillim të këtij muaji, mes kryetarit Sadedin Fishta dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ahmet Prençi. Vetë qëllimi i kësaj kontrate kolektive pune, është rregullimi i marrëdhënieve juridike të punës për respektimin e të drejtave dhe detyrimeve të palëve nënshkruese. Kjo kontratë, e para dhe e vetmja e nënshkruar mes punonjësve të policisë, merr përsipër mbrojtjen e interesave dhe të drejtave të së gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit në shkallë vendi, anëtarë të Sindikatës në të gjitha institucionet policore, përfshirë ato qendrore dhe vendore. Përveç kësaj kontrate kolektive, tashmë çdo punonjës i policisë ka të drejtë të ketë një kontratë individuale të punës. Sipas nenit 5 të kësaj kontrate orët suplementare të kryera gjatë ditëve të pushimit javor ose të ditëve të festave zyrtare kompensohen me pushim ose pagë të paktën 50 për qind më të madhe se orët suplementare të bëra ose paga normale. Kompensimi duhet të jepet jo më vonë se periudha 2 muaj nga dita e kryerjes së punës. Ndërkohë, sipas nenit 8 të Kontratës Kolektive të Punës së Punonjësve të Policisë, shpërblimi i punëmarrësit do të bëhet konform sistemit të gradave policore, funksionit që ka fituar dhe tabelave të pagës, duke respektuar vlerësimet dhe përcaktimet e vendimeve të Këshillit të Ministrave, kontratës kolektive të punës, akteve ligjore, udhëzimeve të ndryshme dhe akteve, që dalin në vijimësi nga institucionet ekzekutive. Sindikata organizon mbledhje apo takime për qëllime sindikaliste, gjatë kohës orare të punës, duke vënë në dijeni punëdhënësin më të afërt, në zbatim të ligjit për Policinë e Shtetit. Sindikata e Policisë ka të drejtë të organizojë mbledhje, grumbullime, brenda apo jashtë institucionit policor, sipas ligjit përkatës, në përputhje me dispozitat në fuqi. Gjithashtu, sindikata ka të drejtë të organizojë grumbullime e veprimtari të tjera sindikaliste të ligjshme, vetëm kur për këtë ka njoftuar punëdhënësin, me shkrim, jo më pak se 5 ditë përpara dhe pasi të ketë marrë miratimin e tij. Punonjësve të policisë u ndalohet të mbajnë uniformën e policisë, të mbajnë armë apo të përdorin ndonjë mjet policie gjatë veprimtarive sindikaliste. Ndalohet gjithashtu hyrja e punëdhënësit në organizimin dhe aktivitetin sindikalist.