E Diel, 1 Nëntor 2026

OST, 287 milionë lekë për ndërtimin e linjës 110 kV Zogu i Zi-Tirana Qendër dhe përmirësimin e nënstacionit

TIRANË, 15 dhjetor/ATSH/ Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) hap tenderin për ndërtimin e linjës së re 110 kV Zogu i Zi- Tirana Qendër dhe për kryerjen e punimeve në nënstacionin Tirana Qendër.

Projekti synon forcimin e rrjetit të transmetimit në kryeqytet dhe rritjen e sigurisë së furnizimit me energji elektrike në zonat me ngarkesën më të lartë të konsumit.

Investimi prej 287 milionë lekësh përfshin ndërtimin e një linje kabllore të re nëntokësore 110 kV që lidh nënstacionin Zogu i Zi me nënstacionin Tirana Qendër, si dhe instalimin e pajisjeve të reja energjetike në të dyja nënstacionet.

Punimet përfshijnë vendosjen e terminaleve të reja 110 kV, integrimin e linjës në sistemin ekzistues të mbrojtjes dhe kontrollit, si dhe modernizimin e skemave të monitorimit dhe komandimit përmes sistemit SCADA.

OST thekson se ndërtimi i kësaj linje është i domosdoshëm për të përballuar rritjen e kërkesës për energji në Tiranë dhe për të rritur qëndrueshmërinë e rrjetit të transmetimit, duke reduktuar rrezikun e mbingarkesave dhe ndërprerjeve. Lidhja e re pritet të përmirësojë gjithashtu fleksibilitetin e operimit të sistemit, veçanërisht në rastet e avarive ose punimeve mirëmbajtëse. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›