Zgjedhjet në Universitete: Numërimi i votave, MASH ndryshon rregullat 1 ditë para votimit
Zgjedhjet për postet drejtuese në arsimin e lartë nisin sot. Ja rregullorja për mënyrën e votimit dhe shpalljen e fituesve
Zgjedhjet për drejtuesit e arsimit të lartë nisin sot. Studentët dhe stafi akademik në gjithë vendin do të votojnë për kandidatët që preferojnë. E ndërsa rregullorja për këto zgjedhje është përgatitur në përputhje me Ligjin Nr.9741, datë 21.05.2007, "Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë", Ministra e Arsimit ka urdhëruar dje ndryshimin e mënyrës së numërimit të votave. Kështu, burime pranë Komisionit të Zgjedhjeve të Universitetit të Tiranës pohojnë se MASH i ka urdhëruar që votat të numërohen në Rektorat, megjithëse në rregullore thuhet se Komisionet i Zgjedhjeve të Fakulteteve (KZF) bën numërimin e votave për secilin kandidat për postin e autoriteteve drejtuese dhe për secilin organ drejtues të votuar. Ndërkohë, bëhen të ditura disa nga pikat e mënyrës së votimit dhe shpallja e fituesve.
Rregullorja
Nuk dihen arsyet përse Ministra e Arsimit ka urdhëruar që numërimi i votave të bëhet pranë Rektoratit ndërkohë që në rregullore parashikohej ndryshe."Numërimi i votave bëhet në KZF, pas përfundimit të votimit në qendrën/at e votimit",,- thuhet në Rregulloren "Për Organizimin e Zgjedhjeve për Autoritet dhe Organet Drejtuese në Institucionet Publike të Arsimit të Lartë për periudhën 2007-2011". Kështu, megjithëse në rregullore thuhet qartë se KZF bën numërimin e votave për secilin kandidat për postin e autoriteteve drejtuese dhe për secilin organ drejtues të votuar, dikasteri i Arsimit ka vendosur që ta ndryshojë këtë rregullore duke e zhvendosur numërimin e votave pranë Rektoratit. "Para një ore, na erdhi urdhri nga ministria se votat do të numërohen në Rektorat",- pohojnë burime pranë Komisionit të Zgjedhjeve në Universitetin e Tiranës.
Votimi
Votimet për autoritetet dhe organet drejtuese të të gjitha niveleve në Institucionet Publike të Arsimit të Lartë, zhvillohen në një ditë të vetme, në datën e caktuar nga ministri i Arsimit dhe Shkencës. Kështu thuhet në rregullore, duke shtuar se ato fillojnë në orën 08.00 dhe vazhdojnë deri në orën 16.00. Nëse në qendrën e votimit ka zgjedhës edhe pas kësaj ore po sipas rregullores, qendra shpall të mbyllur procesin e votimit me largimin e zgjedhësit të fundit. Ndërsa, sa i takon vendit të votimit, në rregullore bëhet e ditur se
votimi bëhet në qendrat e votimit pranë fakulteteve. KZF-ja funksionon edhe si Komision Votimi në Qendrën e Votimit të fakultetit. Në rastet kur numri i votuesve vlerësohet nga KQZI-ja të jetë i madh dhe i papërballueshëm nga një qendër votimi, ajo në bashkëpunim me KZF-në, vendos krijimin e një qendre të re votimi dhe përcakton numrin e votuesve sipas listave, vendndodhjen e qendrës, përbërjen e Komisionit të Votimit, si edhe elementë të tjerë. "Votimi për organet drejtuese bëhet me listë kandidatësh. Secili zgjedhës ka të drejtën e vetëm të një vote, për një nga kandidatët e secilës listë. Kandidatët për secilin organ drejtues prej secilës nga tre kategoritë e përcaktuara (personel akademik, personel joakademik apo studentë me kohë të plotë) duhet të jenë në listën përkatëse sipas kategorisë",- bëhet e ditur në rregullore.
Shpallja e fituesve
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Institucionit (KQZI) shpall fitues kandidatin për rektor të renditur të parin në listë, kandidatët për dekanë të renditur të parët në listat e KZF-ve si dhe listat me përbërjen e organeve drejtuese, Senat Akademik dhe Këshill Administrimi. Ndërsa sa i takon përfaqësuesit nga studentët në Këshillin e Administrimit, po sipas rregullores, zgjidhet nga Këshilli i Studentëve të institucionit. "Konsiderohet fitues në postin e rektorit dhe dekanit, kandidati i cili është renditur i pari në listë dhe rezultati i tij në përqindje është jo më i vogël se 33%",- bëhet e ditur në rregullore, duke shpjeguar se nëse nga llogaritja e rezultatit të votimit kanë dalë dy ose më shumë kandidatë me pikë të barabarta, fituesi do të zgjidhet me short. Ndërsa në rastet kur asnjë kandidat nuk rezulton fitues sipas pikës 9/15, të kësaj rregulloreje, brenda një muaji nga dita e votimit, zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve midis dy kandidatëve me rezultatin më të lartë. Në raundin e dytë shpallet fitues kandidati që arrin rezultatin më të lartë dhe data e zhvillimit të raundit të dytë të zgjedhjeve caktohet nga ministri i Arsimit dhe Shkencës.
Fletët e votimit që do të përgatiten për të votuar pranë KZF-ve:
1-Për personelin akademik:
· Lista e kandidatëve për rektor
· Lista e kandidatëve për dekan
· Lista e kandidatëve për përgjegjës njësie bazë të fakultetit përkatës
· Lista e kandidatëve nga personeli akademik i fakultetit përkatës për anëtarë të Senatit Akademik
· Lista e kandidatëve për anëtarin e zgjedhur nga personeli akademik i fakultetit përkatës për Këshillin e Administrimit
· Lista e kandidatëve nga personeli akademik i fakultetit përkatës për anëtarë të Këshillit të Fakultetit
2-Për personelin joakademik:
· Lista e kandidatëve për rektor
· Lista e kandidatëve për dekan të fakultetit përkatës
· Lista e kandidatëve nga personeli joakademik i institucionit për anëtarë të Senatit Akademik
· Lista e kandidatëve nga personeli joakademik i fakultetit përkatës për anëtarë të Këshillit të Fakultetit
3-Për studentët:
· Lista e kandidatëve për rektor
· Lista e kandidatëve për dekan
· Lista e kandidatëve nga studentët për anëtarë të Senatit Akademik
· Lista e kandidatëve nga studentët e fakultetit përkatës për anëtarë të Këshillit të Fakultetit
Zgjedhjet, ja kur mund të bëhet ankimimi
10/1. Në Institucionet publike të Arsimit të Lartë njihet e drejta për ankim lidhur me zbatimin dhe respektimin e procedurave, kritereve dhe llogaritjen e rezultateve të zgjedhjeve. Kështu parashikohet në Rregulloren e Zgjedhjeve për Arsimin e Lartë, sipas të cilës, ankimet që kanë të bëjnë meprocedurat dhe zhvillimin e fushatës së zgjedhjeve si dhe organizimin e votimeve për të gjitha nivelet, i drejtohen me shkrim Komisionit të Apelimit. Ky komision jep përgjigje brenda tri ditëve nga data e ankimit dhe vendos me shumicë votash për vazhdimin e mëtejshëm të procedurave ose jo. Ndërsa Komisioni i Apelimit njofton Rektoratin, KQZI dhe KZF-të e fakulteteve në lidhje me vendimin e marrë. "Apelimet që kanë të bëjnë me vendimet lidhur me rezultatet e votimit i paraqiten me shkrim Komisionit të Apelimit, brenda tri ditëve nga shpallja e rezultatit të votimit", - bëhet e ditur në rregullore, duke shtuar se Komisioni i Apelimit thërret për sqarim kryetarin, zëvendëskryetarin si dhe anëtarë të Komisionit të Zgjedhjeve përkatës, kur e gjykon të arsyeshme, si dhe apeluesin. Ky komision po sipas rregullores, merr vendim brenda tre ditëve me shumicë votash të të gjithë anëtarëve të tij. Vendimi duhet të jetë i arsyetuar dhe të pasqyrojë edhe mendimin kundër. "Në rast konstatimi shkeljesh të procedurave dhe të kritereve, Komisioni i Apelimit pezullon procedurën e mëtejshme dhe njofton menjëherë Komisionin përkatës të Zgjedhjeve dhe KQZI",- thuhet në rregullore. Ndërkohë vendimi i Komisionit të Apelimit mund të ankimohet tek ministri i Arsimit dhe Shkencës, i cili duhet të shqyrtojë ankesën brenda 5 ditëve. Vendimi i ministrit të Arsimit dhe Shkencës, është përfundimtar dhe duhet ekzekutuar.
PARIME DHE MODALITETE TE VOTIMIT
1. Vota është e fshehtë, personale dhe e lirë.
2. Me votë shprehet vetëm një preferencë për secilin post për autoritetet drejtuese. Çdo zgjedhës shpreh vetëm një preferencë, në secilën nga listat me kandidatë, për secilin organ drejtues.
3. Çdo zgjedhës e ushtron të drejtën e tij të votës në ditën e zhvillimit të zgjedhjeve dhe pranë Komisionit të Zgjedhjeve të Fakultetit, ku ai ndodhet i regjistruar. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Institucionit përcakton fakultetin pranë të cilit do të votojë personeli i Rektoratit.
4. Çdo zgjedhës mund të ushtrojë të drejtën e votës vetëm nëse paraqet një dokument zyrtar identifikimi dhe firmos në Regjistrin e Zgjedhjeve.
6. është i ndaluar qëndrimi në ambientet e votimit i personave që nuk kanë të bëjnë me procesin e votimit, si dhe zgjedhës që kanë votuar.