E Shtunë, 31 Tetor 2026

Matura, të drejta 10% e ankesave për notat

 

zirina llambro

Janë ankuar për rezultatet e Maturës Shtetërore dhe një pjesë e tyre kanë pasur të drejtë. Në tre vitet e fundit 10% e ankesave të nxënësve për notat e letërsisë, matematikës dhe provimeve me zgjedhje kanë qenë me vend. Ky është konkluzioni në të cilin kanë arritur ekspertët e Agjencisë së Vlerësimit dhe Arritjeve të Nxënësve. ”Që nga nisja e aplikimit të provimeve të maturës shtetërore ankesat për rezultatet që kanë marrë nxënësit kanë qenë të shumta, sidomos për letërsinë e matematikën. Nga një analizë e hollësishme, që u është bërë kemi arritur në konkluzionin se shumë prej tyre kanë qenë të drejta. Por rregullorja e Maturës Shtetërore të këtyre viteve nuk e parashikonte rivlerësimin. Kjo ka qenë arsyeja pse këto ankesa nuk janë rishqyrtuar. Është zbatuar rregullorja”, sqarojnë burime të sigurta nga AVA. Por këtë vit për herë të parë që nga nisja e Maturës Shtetërore specialistët sqarojnë, se ngritja e një komisioni që do të rivlerësojë ankesat është futur edhe në rregullore. “Nëse ato të do të rezultojnë të drejta atëherë edhe notat mund të ndryshojnë”, thonë burimet pranë AVA-s. Pas marrjes së rezultateve të Maturës Shtetërore sipas rregullores nxënësve do t’u vihen në dispozicion 4 ditë për të dorëzuar kërkesën e rivlerësimit të provimit, kundrejt një pagese. “KSHMSH, pasi grumbullon të gjitha kërkesat, i përcjell ato së bashku me mandat-arkëtimet në KMSH pranë DAR/ZA-së, brenda 5 ditëve nga shpallja e rezultateve të provimit. KMSH pranë DAR/ZA shqyrton kërkesat e paraqitura nga KSHMSH-të dhe i përcjell ato zyrtarisht tek AVA, shoqëruar me mandat arkëtimet përkatëse, brenda 7 ditëve nga shpallja e rezultateve”, thuhet në rregullore. Sipas saj, AVA ngre grupet e vlerësimit të testeve, me vlerësues të trajnuar. Rivlerësimi bëhet me të njëjtat rregulla e procedura si vlerësimi i testeve, duke vazhduar të jenë të sekretuara me barkode testet që rivlerësohen. “Rezultatet e rivlerësimit dërgohen nga AVA zyrtarisht pranë KMSH të DAR/ZA me një afat nga 15 deri 30 ditë nga data e shpalljes së rezultateve të provimit dhe konsiderohen rezultate përfundimtare të nxënësve. KMSH, nëpërmjet KSHMSH njofton për rezultatin e rivlerësimit çdo nxënës që ka kërkuar rivlerësim testi”, thuhet në rregullore. Tashmë maturantët kanë nisur përgatitjet për dhënien e provimeve të Maturës Shtetërore. Pasi të mbyllin vitin shkollor ata do të kenë një javë kohë për të kryer konsultimet në shkolla.

Teste pilote ne 10 shkolla

Një test paraprak për të parë nivelin e maturantëve që do t’u nënshtrohen provimeve këtë vit. Por kjo është vetëm një nga arsyet pse Agjencia e Vlerësimit dhe Arritjeve të nxënësve ka vendosur të aplikojë këtë skemë. Arsyeja më e fortë është ndihmesa që rezultatet e marra do t’u japin specialistëve në hartimin e pyetjeve. Pjesë e këtij pilotimi, nga sa bën me dije AVA, do të jenë 10 shkolla të mesme. Më të shumta në numër në Tiranë. ”Kemi menduar dhe është vënë në dispozicion edhe fondi përkatës që të pilotojmë në 10 shkolla teste me pyetje të ngjashme me ato të Maturës Shtetërore të këtij viti. Kjo është ndihmesë për ne për të vijuar më tej me kalibrimin e pyetjeve të testeve përfundimtare”, sqarojnë drejtuesit e saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›