E Diel, 1 Nëntor 2026

OTELLO, ARAPI I BEN BLUSHIT

Kur u botua vjet romani i parë i Ben Blushit, "Të jetosh në ishull", më duket ishte përsëri maj dhe publiku pati një qasje të menjëhershme me librin. Tronditja që shkaktoi në opinion ai roman ishte e madhe dhe një çast u duk se, me anë të fjalës, në Shqipëri po provokohej një farë blasfemie, pse romani i Blushit rrokte në rend të parë aktin e konvertimit, natën fatale të shndërrimit dhe të kthimit të besimit. Në këtë vepër ishte dhe një personazh me emrin Sali Benishi që në shtjellën e romanit krijonte një asosacion të qartë dhe një metaforë të gjetur me një personazh politik tragjikomik. Një vit më pas vjen romani i dytë, "Otello, Arapi i Vlorës".

Kur Fan Noli përktheu tragjedinë e famshme të Shekspirit në shqip e quajti atë "Tragjedia e Otellos, Arapit të Venedikut"(1604). Ndërsa Ben Blushi e heq përcaktimin gjinor të asaj që shkruan dhe romanin e tij e titullon "Otello, Arapi i Vlorës". Duket se lexuesi përgatitet që në fillim se do të lexojë historinë e Otellos dhe do të zbulojë se ky personazh i famshëm paska një lidhje edhe me Vlorën. Shekspiri është frymëzuar nga novela e shkrimtarit italian të shekullit të XVI, Xhiraldi Çintio. Ne e dimë se sipas Hekatomitit (Një mijë përralla) të Xhiraldi Çintios, kjo është historia e një zezaku nga Mauritania, i cili në shekullin e katërmbëdhjetë kishte arritur në majë të piramidës në Republikën e Venedikut për shkak më shumë të vlerave të tij sesa të aftësive ushtarake. Por jeta e tij siç e dimë të gjithë do të mbyllet tragjikisht në flakët e ndërkryera të xhelozisë dhe të krimit.

Ashtu si edhe në librin e parë edhe këtu, pasioni i Blushit është rileximi i tekstit të Mesjetës shqiptare. Nëse do të kërkonim fjalët-kyçe ato janë tri: Otello, Vlorë, Venedik. Nga historia dimë se në vitin kur mendohet se ka jetuar Otello, pra në shekullin XIV, po të mbajmë parasysh kohën artistike të novelës së shkrimtarit italian dhe jo kohën artistike të tragjedisë, Vlora qeverisej nga Balshaj II që kishte për grua Komitën dhe vajzë Ruginën. Blushi thotë në roman se një vajzë e kësaj familjeje ishte martuar në Venedik dhe ishte gjyshja nga babai e një prej personazheve të romanit. Ajo, thotë autori, ishte martuar në atë derë ku ishte dhëndër edhe Marko Polo, aventurieri dhe zbuluesi i famshëm. Dhe në atë familje që kishte për kryefamiljar Albano Contarinin fëmijët quheshin Dezdemonë, Emili dhe Jago.

Ndërsa Otello mbërrin më vonë atëherë kur në një ditë të zakonshme pazari në Venedik, babai i ble Dezdemonës jo një kafshë, por një arap të zi, Otellon. Otelloja shërben në shtëpi derisa një ditë niset me të zotin, Albanon, për të blerë kripë në Vlorë te njerëzit e së ëmës. Mirëpo, ditën që ai mbërrin atje Vlora dhe vlonjatët tronditen dhe lemerisen nga arapi i zi dhe e përjetojnë ardhjen e tij si ditën e fatkeqësisë. Dhe në fakt ashtu ndodh. Ato ditë vdes në betejë Balsha II dhe Komita urdhëron që Otelloja, Arapi i zi, të gjendet e të mbahet në burg. Kështu, Otelloja jeton në Vlorë për gati dhjetë vjet. Po pse Otelloja duhet të jetojë në Vlorë? Ku është dashuria, ku është xhelozia, po tragjedia?

Romani ka trembëdhjetë kapituj dhe në fillim të duket se numri trembëdhjetë mund të ketë ndonjë simbolikë, por jo. Këtu Blushi nuk merret me natën e gjatë osmane, me sfidën e konvertimit që ishte në horizont, por me kontrastin e Vlorës. Me bukurinë dhe ashpërsinë e saj, me diellin dhe me dritën që mungon, me varfërinë e njerëzve dhe me pasurinë e kusarëve, me luftërat pa kuptim dhe me gjithçka të mbrapshtë që kemi trashëguar ne shqiptarët. Vlora, Venediku dhe Otelloja në mes ose Arapi, lëkura e zezë, ksenofobia, racizmi magjitë dhe besëtytnitë, e keqja që na ka ardhur gjithmonë nga lindja dhe që ka qenë më ngjyrë të zezë, përmblidhet në përplasjen e Otellos me Vlorën. Mirëpo, përtej kësaj, Otelloja vjen nga Venediku dhe lufton madje edhe kundër turqve, pastaj kthehet prapë në Venedik, pasi copëtohet e burgoset, zhvirgjërohet e poshtërohet në burgjet e Vlorës. Më në fund çfarë është Otelloja i Blushit.

Otelloja i Shekspirit është një tekst për tjetërsinë, për pamundësinë që një njeri i jugut, një Arap apo një Maur i Afrikës së Veriut të mund të zinte një vend në atë epokë në Venedik pa u mohuar totalisht. Kjo pamundësi që të jesh vetvetja te të tjerët, ose dualiteti që përsërit Blushi në vepër mes Otellos dhe Arapit, statusi i një të huaji në shoqëritë tona është në zemër të Otellos së Shekspirit. Mund të përmendim një shembull tjetër. Është fjala për romanin "I huaji" i Kamysë, i cili megjithëse nuk e prek problemin e realitetit kolonial në Algjeri e shpërthen atë në një mënyrë më të bujshme. Të gjithë e dimë se vrasja e kryer prej Mersosë që vret "arabin", ka vetëm një shkak: dielli, dielli që e kishte verbuar. Dhe Kamyja nuk flet fare për kolionalizmin por tregon se me sa gjakftohtësi mund të vritej një arab thjesht se nuk e dalloje nga drita e diellit që të vret sytë. Blushi i vendos ngjarjet në dy realitete, në Venedik dhe në Vlorë në një vend që ka dritë dhe në një vend që ka nxehtësi. Vlora ka shumë diell, por nuk ka dritë, Venediku ka shumë dritë megjithëse diell nuk ka aq shumë. Ky kontrast mes dritës dhe diellit apo mes Lindjes dhe Perëndimit i përthyer në lëkurën e zezë të Otellos e shtyn rrëfimin në të trembëdhjetë kapitujt e librit që ndahen në dy botë, në atë të diellit dhe në atë të dritës. Otello i Blushit nuk është luftëtari i shquar që është kthyer fitimtar nga beteja kundër turqve në ishullin e Qipros, por një skllav zezak që e kanë sjellë për ta shitur në Venedik.

Jagoja, Dezdemona dhe Emilia nuk janë fëmijët e senatorit Brabant, por të një banori normal dhe të një tregtari venedikas, Albano Contarini, i cili me anë të harmonisë imitative të kujton një tjetër italian të sotëm ndoshta këngëtarin Albano Karrizi për të cilin ka dhe një shoqatë në Vlorë. Otelloja e kishte të pamundur që të tjetërsohej dhe të gëzonte jetën dhe suksesin në Venedik, sepse ai ishte një i huaj sipas asaj që ne dimë nga novela e Çintios apo nga tragjedia e Shekspirit. Blushi ka vendosur ta lexojë ndryshe këtë tekst. Po sikur të vinte dhe të jetonte në Vlorë çfarë do të ndodhte me Otellon. Dhe mes fijeve historike ai zbulon lidhje të besueshme të Vlorës me Venedikun. Pastaj gjithçka është art dhe imazh. Otelloja, arapi i Venedikut duhet të ketë qenë edhe në Vlorë dhe historia e jetës së tij në Vlorë është vizatimi i tëhuajësimit dhe tjetërsimit tragjik. Në një vend të prapambetur të mbytur në mjerim dhe të zhgërryer në besëtytnira dhe fatalitet, në grindje dhe në prapambetje, nuk mund të realizohet dashuria tragjike me Dezdemonën, por dhunimi dhe shfytyrimi i një populli që të keqen e projekton deri edhe te ngjyra e lëkurës.

Otelloja nuk shitet si në Venedik në një familje për të kënaqur kërshërinë e një fëmije si Dezdemona, por merret nga dy trafikantë që e shohin atë si një mall të vyer dhe pasi e shpëtojnë nga turma që kërkon ta linçojë për shkak të ngjyrës dhe fatkeqësisë që ai sjell ia shesin mjekut Stefan që e përdor si një kavie për të zbuluar mjekimin për murtajën. Pasi vdes mjeku, Komita urdhëron që Otelloja të gjendet e të mbahet në burg. Ashtu ndodh. Burgu i Vlorës është vizatuar me mjeshtërinë e Hygoit nga Blushi. Pederastia, shfytyrimi moral dhe zvetënim deri në skaj i çdo ceni njerëzor karakterizojnë burgun e Vlorës, në të cilin ndodhen të gjithë ata që nuk e duan Vlorën, vrasës, trafikantë e kriminelë gjithfarësh. Ndodhet edhe Hamiti, turku që kishte tradhtuar Balshajn II dhe që e tradhton përsëri edhe këtë radhë Komitën, por që dashurohet me Otellon dhe çojnë netët e burgut të përqafuar në një ngrohtësirë trupore. Kapitujt ndërrohen dhe ti pret të lexosh tradhtinë e madhe, pret të takosh çastin kur Dezdemona i fal shaminë Kasit dhe të shohësh Jagon se si e helmon Otellon në shpirt.

Në fakt, Jago është një fëmijë i zgjuar në romanin e Blushit, që kënaqet vetëm kur i bën të tjerët të vuajnë. Ai ka pasion cinizmin dhe art gjakftohtësinë që të shohë deri edhe motrat e tij se si dërrmohen psikologjikisht. Familja Contarini me Dezdemonën, Emilinë e Jagon dhe Otellon që vjen në fund të kujton familjen e romanit tjetër "Të jetosh në ishull", ku fëmijët me emrat Muhamet, Ali, Adem krijonin në imazhin e përgjithshëm asosacione të caktuara filozofike. Kështu ndodh edhe këtu. Blushit nuk i intereson të rilexojë edhe njëherë tragjedinë e pasionit, por i bën përshtypje dhe kërkon të dijë më thellë se çfarë fshihet pas simbolikës së Jagos, po pas simbolikës së Otellos dhe Kasi a e dashuronte vërtet Dezdemonën apo edhe në këtë rast e kishte fajin Jago. Otelloja i Blushit nuk kthehet fitimtar nga lufta me turqit në Venedik, por kthehet i shfytyruar nga dhjetë vjet tmerri në Vlorë ku, për shkak të ngjyrës së lëkurës, ishte dhunuar, zhvirgjëruar e blasfemuar. Kasi nuk është miku i tij, por dhëndri serb i Komitës (sipas dokumenteve historike, një vajzë e Balshajve ishte martuar me një princ serb). Komita nuk e mbron dot Vlorën nga turqit pas vdekjes së Balshajt. Ndaj ajo vendos që ta shesë dhe për këtë nis në Venedik Kasin, dhëndrin e saj serb dhe rikthen atje Otellon edhe pas lutjeve të së bijës. Ardhja e Otellos bashkë me Kasin në Venedik rikrijon pëlhurën e tragjedisë. Otelloja ka sjellë me vete edhe balsamin e dashurisë që i ka përgatitur Stefani dhe mezi pret të shohë shaminë magjike të së ëmës që e kishte harruar në Venedik, por që e ruante Dezdemona.

Kasi është shumë i bukur dhe në qoftë se në tragjedinë e njohur lidhja me Dezdemonën ishte vetëm një dyshim dhe një xhelozi, këtu Dezdemona bën dashuri me Kasin dhe nuk arrin ende të pohojë dashurinë me Otellon. Jagoja, vëllai i Dezdemonës, duket se çmendet më shumë për këtë lidhje dhe e justifikon tërbimin e tij me nderin për motrën, ashtu si Andrea, vlonjati, që ishte futur në burg pse kishte vrarë një shokun e tij që i kishte sharë motrën. Kodi i motrës e bën Jagon që të nxisë Otellon për t‘u bërë xheloz. Këtu edhe Blushi përdor shaminë si detajin fatal. Dhe Jago në një garë me kuaj i jep Kasit shaminë që të fshihet, shaminë e Otellos që e mbante Dezdemona. Jago e sheh dhe e kupton fundin. I jep të pijë Dezdemonës lëngun ose eliksirin e dashurisë që i kishte përgatitur mjeku vlonjat, Stefani, por ai ishte bërë helm. Pi dhe vetë dhe vdes. Mbyllet kështu edhe romani. Një roman që është shkruar me mjeshtëri dhe me një pasion të madh. Një roman që ashtu si "Të jetosh në ishull", i cili demistifikonte nacionalromantizmin, këtë radhë me të njëjtën mjeshtëri Blushi demistifikon tabutë e përjetshme të dashurisë apo të xhelozisë. Romani është një rrëfim gati filozofik mbi kuptimin e tradhtisë dhe të cinizmit.

Otelloja nuk është heroi që personifikon dashurinë fatale. Ai është një keqkuptim filozofik që vazhdon edhe sot. Otelloja është mishërimi i vrerit që derdh shoqëria njerëzore mbi të pambrojturit, mbi të dobëtit mbi njerëzit me ngjyrë. Otelloja është turpi i qytetërimit njerëzor të të gjitha kohërave. Blushi ka meritën e madhe se e ka shkurorëzuar edhe atë mit sipas të cilit Otelloja është viktimë e xhelozisë së vet. Jo, Otelloja është viktimë e paragjykimeve dhe besëtytnive tona. Sa më i prapambetur të jetë një vend aq më të thella janë plagët që hapen në trupin e pambrojtur të Otellos apo të Otellove të kohëve tona. Dëshmi e kësaj është Vlora e pagdhendur dhe e vrazhdë dhe Venediku cinik dhe i ftohtë. I pari deri edhe e zhvirgjëron, i dyti e shet dhe e ble si një plaçkë. Kuptimi i jetës është Jagoja. Blushi ka meritën se Jagon e vizaton si të vetmin kuptim dhe motiv të jetës në Venedik.

Cinizmi, ftohtësia, përllogaritja dhe kodi i nderit si dhe vrazhdësia, besëtytnitë, dallkaukllëku janë llagëmet e fshehta që lidhin dy botë Venedikun nga njëra anë dhe Vlorën. Brenda një viti dy romane, një stil i përkryer e me që përmendëm stilin le të themi dy fjalë për të. Roland Barthes në artikullin e tij të famshëm Le Degré zéro de l‘écriture (Paris: Seuil, 1972), duke folur për stilin e Agata Kristit shkruan: "Agata Kristi e dinte shumë mirë se "unë" është dëshmitari ndërsa "ai" është aktori. Sepse "ai" është një konvencion tipik i romanit dhe i takon kohës së rrëfimit, ai shenjon dhe kryen faktin romanesk; pa vetën e tretë romani është i pafuqishëm. "Ai formalisht mishëron mitin. Në të gjitha rastet, veta e tretë është shenjë e një pakti të mençur mes shoqërisë dhe autorit, por ajo është gjithashtu për këtë të fundit një mënyrë për ta paraqitur botën ashtu si do... më në fund është një akt njerëzor që lidh krijimin me historinë ose me paraekzistencën". Po të vëresh stilin e Blushit ai zotërohet i tëri nga veta e tretë dhe nga mungesa e dialogut të jashtëm. Ne duket se kemi dy bashkëfolës një që na rrëfen dhe një tjetër që na tregon kuptimin filozofik të asaj që rrëfehet në vepër.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›