Terapi me muzikë rrep
Si shumë të rinj të tjerë, muzika ka qenë për ta një pasion. Nuk e kanë mësuar në shkollë, as në pentagrame. Rreth 10 vjet më parë, tentuan të bëheshin pjesë e rrymave të reja muzikore, pa korniza të përcaktuara, pa tekste të menduara mirë. Ata shprehnin dhe kthenin në muzikë gjithçka që mendonin e ndienin. Bates dhe Loco Green janë dy këngëtarë gjermanë të muzikës rrep që tashmë pranojnë ta quajnë veten profesionistë. Këto ditë ndodhen në Tiranë, të ftuar nga instituti "Gëte". Janë pjesë e një projekti që kërkon talente të reja në këtë rrymë, por edhe për një koncert. "Deine Stimme-weltweit", i ka çuar në një turn në shumë vende si Serbia, Turqia, Rumani, Bullgari, Suedi etj. Tashmë kanë mbërritur në Tiranë. Në një workshop që do të mbahet sot, ora 15:00 në sallën Black Box të Akademisë së Arteve, do t‘u japim mundësi studentëve që dinë apo mësojnë gjermanisht të provojnë rrymat muzikore moderne. Është një bashkëbisedim i lirë ku së pari do t‘u kërkohet studentëve të shkruajnë 10 rreshta në gjermanisht, pastaj t‘i lexojnë në mikrofon. Së dyti, do të shkruajnë një tekst kënge që të flasë për çdo gjë që ata mendojnë, për dashurinë, familjen, miqtë e më pas ta lexojnë në mikrofon. "Qëllimi ynë është të shkojmë në çdo vend dhe të mësojmë studentët ta praktikojnë muzikën. Të gjithë studentët apo të rinjtë dëgjojnë muzikë në shtëpitë e tyre. U duhet vetëm një shtysë që të provojnë të nxjerrin së jashtmi gjithë energjinë që krijohet brenda tyre. Është shumë kreative të luash me gjuhën, ta kthesh atë në muzikë, të tregosh çfarë të duash. E rëndësishme është ta provosh. Ne nuk e kemi mësuar në shkollë muzikën. Ishte një hobi që e kultivuam. Kemi më shumë se 10 vjet që interpretojmë dhe besoj se tani e kemi profesion", shprehet Bates. Në përfundim të këtij projekti, në nëntor të 2009-ës, një juri do të zgjedhë një fitues për çdo vend, i cili në janar të 2010 do të mund të shkojë në Gjermani për të regjistruar një këngë. "Fituesi do të vijë në Gjermani dhe në studion tonë do të regjistrojmë në mënyrë profesionale këngën, shprehet Loco. Pasioni i tij ka nisur rreth 12 vjet më parë. Prindërit e tij jetonin në një fermë, rreth 20 minuta larg nga qyteti. "Sa herë kthehesha nga qyteti në shtëpi me makinë, dëgjoja muzikë rrep. Herë pas here, teksa ndaloja në ndonjë vend të dukshëm, hapja derën e makinës, me muzikën e ngritur filloja të këndoja. Merrja komente që më inkurajonin. Kështu fillova të merresha me muzikë. Shkrova këngën e parë. Nuk ishte shumë e mirë. Pastaj shkrova një të dytë e kështu u bënë 12 vjet", tregon Loco Green. Këtë bashkëveprim muzikor me studentët e kanë provuar në disa vende. Por ndonëse tashmë performojnë rrep, ata tregojnë se nuk janë të //////////////////krnizuar. Pop, hip-hop, rock, xhaz, janë disa nga rrymat e tjera ku ata eksperimentojnë. Për ta, muzika që bëjnë është një terapi e pazëvendësueshme. I lirë të thuash ç‘të duash. "Kur isha në shkollë, gjithmonë kam shkaktuar probleme me mësuesit. Unë doja të bëja gjithnjë sipas mënyrës time. Mërzitesha shpesh nga leksionet. Por ne jemi njerëz që mendojmë për jetën. Për ne muzika është një terapi që na bën të ndihemi mirë, me anë të së cilës prekim botën, flasim për probleme, nxjerrim jashtë gjithë ngarkesën emocionale dhe e ndajmë me të tjerët", shprehet Bates. Historia e tij ka filluar me grafiti në mure. "Një ditë isha duke parë një koncert ku interpretonte një bandë muzikore. Unë isha gjithë kohës i habitur pas dixhejit. U ngjita në skenë dhe i thashë të më tregonte se si arrinte ta bënte atë muzikë. Një ditë një mik erdhi tek unë dhe më tha të provoja të këndoja rrep, sepse zëri im ishte i përshtatshëm. Kështu nisi. Tashmë përpiqem gjithnjë ta përmirësoj veten", tregon Bates. Edhe Loco, i cili tashmë ka një shtëpi regjistrimi e bashkëpunon me këngëtarin e njohur gjerman, Clouse, e sheh muzikën si një terapi. "Përmes saj thua gjëra që ke në zemër dhe në mendje, gjëra që ndodhin rreth nesh", shprehet ai. Liria të bësh e të thuash çfarë të duash. Kjo i bashkon të gjithë të rinjtë t‘i bashkohen e t‘i adhurojnë këto rryma. E pse jo të ndihen protagonistë. Sa herë që ngjiten në skenë, tregojnë se ndihen të kënaqur kur marrin duartrokitje. Kjo i bën të kuptojnë se janë në rrugën e duhur. "T‘i mund të krijosh lidhje me njerëz të tjerë, të cilët edhe pse flasin një tjetër gjuhë, të kuptojnë dhe ndiejnë këngën. Muzika është një gjuhë e përbotshme", tregon Bates. Nëse e pyet se a dëgjon ndonjëherë muzikë klasike, një nënqeshje është e menjëhershme. "Më pëlqen. Por besoj se muzika klasike është një nivel i lartë. Të rinjtë nuk kanë shumë interes ndaj saj. Por mendoj se një këngë moderne mund të realizohet e të tingëllojë shumë mirë me instrumente klasikë, me harpë apo violinë", thotë Bates. Për Green duhet të kesh një moshë të caktuar që ta kuptosh dhe ta pranosh muzikën klasike. "Para dy vjetësh, për Krishtlindje isha në kishë. Kur dëgjova në sfond që po luhej bah, isha tërësisht i përqendruar dhe e gjeta veten duke u gëlltitur. Isha shumë i mahnitur", shprehet Green. Ky vit për ta do të vazhdojë me udhëtime rreth botës, në Kinë, Amerikë, Uzbekistan. "Nuk kemi kohë të bëjmë projekte private", thonë, ndërsa tregojnë se shkruajnë vargje gjatë udhëtimit. "Kur të kthehemi mund t‘i regjistrojmë". Në këtë udhëtim të vazhdueshëm, Green shprehet se e sheh botën shumë të vogël. "Ne ishim në Bullgari, fluturuam në Itali dhe pastaj në Shqipëri. Për 6 orë pamë 3 vende. Kjo të jep përshtypjen se bota është një vend i vogël". Ata do të vazhdojnë sërish të bëjnë muzikë.