Rilindja e Ruandës
"Jam me fat, dy vajzat e mia, njëra 9 dhe tjetra 12 vjeçe nuk më kanë pyetur kurrë ‘Baba ne jemi hutu apo tutsi?‘. Them që jam me fat sepse, në të kundërt, nuk e di se si do t‘ua shpjegoja atë ndarje të sajuar nga belgët gjatë epokës koloniale. Ndoshta babai i shoqes së bankës së tyre mund t‘i ketë masakruar gjyshërit, të afërmit dhe miqtë. Më 7 prill të vitit 1994, të nxitur nga policia, mijëra hutu në të gjithë Ruandën filluan të ndalonin njerëzit e rrugës dhe u kontrollonin kartat e identitetit. Të gjithë ata që ishin të regjistruar si tutsi i keqtrajtonin, por këtu nuk bënin përjashtime edhe hututë që refuzonin të merrnin pjesë në shfarosjen në masë. Kërdia vazhdoi për 100 ditë, ndërkohë që trupat franceze dhe belge të Kombeve të Bashkuara nuk lëviznin dhe nuk shqetësoheshin aspak për kaosin e krijuar. Çdo përvjetor, sa herë sjell ndërmend këtë masakër, mendoj se ishte faji i politikanëve të këqij...", thotë drejtori i një shkolle 9-vjeçare në kryeqytetin e Ruandës, Kigali, një vend i mbushur me njerëz të gjymtuar dhe me poliomelit, sepse deri para dy vitesh këtu mungonin vaksinat. Mosha e tij e vërtetë është 37 vjeç, por në dokumente e ka shkruar 33, sepse 4 vite i ka fshirë nga kujtesa, por jo se ka diçka për të cilën duhet t‘i vijë turp: nga viti 1991 deri më 1994 luftoi me rebelët e Paul Kagame, i cili mori pushtetin në korrik të ‘94-ës dhe që prej vitit 2000 është edhe President i vendit. Kjo është Ruanda e re, e cila përpiqet të harrojë tmerrin e 15 viteve më parë, gjenocidin e Kigalit. Vendi vazhdon të jetë nën kontrollin e babait-padron, Paul Kagame, i cili e cilëson të disiplinuar Kigalin dhe e konsideron kryeqytetin më të sigurt të së gjithë Afrikës Lindore. Sheh me kujdes sjelljet e njerëzve, garanton respektimin e rregullave jo gjithmonë të shkruara që duhen zbatuar nga të gjithë, madje kujdeset edhe për pamjen e jashtme të njerëzve. Në rrugë nuk sheh asnjë burrë me flokë të gjatë, askush nuk mund të tymosë në natyrë dhe gjithashtu janë të paktë ata që tymosin në shtëpi. Sot, Kigali është një kryeqytet i ri, me pallate të larta, banka dhe zyra të reja. Hotelet luksoze janë "zemra" e jetës së natës. Meshkujt luajnë bilardo, pinë birra dhe ngacmojnë vajzat, të cilat janë shumë të bukura dhe kujdesen shumë për shëndetin e tyre: virusi HIV ka infektuar një pjesë të madhe të popullsisë. Gjatë gjenocidit të bërë nga hututë dhe reprezaljet e mëvonshme të grupeve të tutsve, "engjëjt e vdekjes" të sëmurë me SIDA përdhunonin gratë e etnisë tjetër për të dënuar me vdekje atë që do të mbetej gjallë nga soji i tyre. Historia e hidhur e Ruandës, që ëndërron të bëhet si Dubai, vazhdon të jetë e hapur dhe nëse nuk mbyllet, ndodh sepse ky vend është një prej gurëve strategjikë të gjeopolitikës së fuqive të mëdha të kontinentit. Askush në vend nuk mund t‘i harrojë vuajtjet që kanë duruar në këto 15 vjet. "Të gjithë duhet të kujtojmë se jemi një vend të mbijetuarish", tregon një qytetar. Në gjashtë vitet e fundit në vend, numri i të infektuarve me HIV është ulur nga 13 në 3 për qind të popullsisë, malaria nga 9 në 3 për qind si shkak vdekjeje, ndërsa shkollimi është rritur nga 74 në 86 për qind te fëmijët. Meritë e kujt është kjo? "Natyrisht që është meritë e grave. Nëse burrat nuk do të ishin mbështetur te ne, pas gjenocidit, atëherë vendi nuk do të kishte ecur përpara", tregon një zonjë, e cila prej disa muajsh është shefe e "Gender Monitor", programi i hartuar nga qeveria për të treguar çdo lloj diskriminimi që mund t‘u bëhet grave në vend. Kështu mendon edhe një ish-veterinare, që tani është kryetare e bashkisë së këtij kryeqyteti afrikan. "Familja është një shoqëri dhe nënat janë lideret e tyre. Merita e klasës sonë politike është se na dha mundësinë të tregonim se çfarë jemi të afta të bëjmë".
Në 15 vitet e fundit, Ruanda ka kaluar nga proverbat në rekordet botërore, nga traditat që i ndalonin gratë të ishin pronare toke, të kafshëve, të shtëpive, madje edhe të një llogarie të thjeshtë në bankë, deri te ligjet që imponojnë shifrën 30 për qind të përfaqësisë femërore në çdo organizëm publik, nga ministritë tek universitetet, nga gjykatat te spitalet. "Rregullimi i marrëdhënieve mes tutsve dhe hutuve dhe vendosja e barazisë mes burrit dhe gruas": jeta e re e Ruandës së "shpëtuar" nga vdekja nis këtu. Por ishte më e vështirë të luftoje paragjykimet mes etnive apo atë mes gjinive? "Gratë kanë qenë gjithnjë të nënshtruara prej kohës, ndërsa dhuna etnike ishte një shpikje e kolonizatorëve, e kriminelëve. Hutuve dhe tutsve kultura jonë nuk i ka kushtuar kurrë proverba negative", thotë një vajzë e re. Ajo është optimiste, sepse në Ruandë gratë kanë zbuluar një tjetër botë. "Dikur ishim të mira vetëm për të bërë fëmijë. Sot, mund të shkojmë në bankë, të kërkojmë hua, të jemi sipërmarrëse", përfundon ajo.