E Shtunë, 31 Tetor 2026

Surprizë nga arkivat e Stasi-t

Emri i Beno Ohnesorg u kthye në simbolin kryesor të protestave të së majtës në Gjermaninë Perëndimore, pasi ai u qëllua me vdekje nga policia në vitin 1967. Dokumente të zbuluara së fundmi tregojnë se polici që e qëlloi ka qenë agjent sekret i Shërbimeve të Fshehta të Gjermanisë Lindore. Ishte një nga ngjarjet kyçe të atyre viteve, e cila shërbeu si shkëndijë për një seri të gjatë shpërthimesh dhune nga ana e grupeve të skajit të majtë, e cila pllakosi mbi Gjermaninë Perëndimore të viteve ‘70.

Mbrëmjen e 2 qershorit të vitit 1976, studenti i literaturës Beno Ohnesorg, merrte pjesë në një demonstratë që zhvillohej përpara Operës së Berlinit Perëndimor. Operën do ta ndiqte edhe Muhamed Reza Pahlavi, shahu i Iranit, dhe studentët qenë grumbulluar për të protestuar kundër regjimit të tij brutal.

Protesta e planifikuar si manifestim paqësor doli jashtë kontrollit. Demonstruesit pro shahut, disa kishin ardhur nga Irani posaçërisht për atë rast, u përleshën me studentët protestues. Edhe policia e Berlinit Perëndimor luajti gjithashtu pjesën e saj, duke ushtruar dhunë kundër turmës. Në orën 8:30 të mbrëmjes u dëgjua një e shtënë dhe vetëm pak çaste më vonë, 26- vjeçari Beno Ohnesorg, i goditur nga ai plumb në pjesën e pasme të kokës, u bë martiri i parë i së majtës gjermane.

Ndërsa tani mësohet se historiku i atyre ditëve duhet ndryshuar. Dokumente të reja të zbuluara në arkivat e Stasi-t, arkivi i pamat i dokumenteve të lëna pas nga shërbimi sekret gjermanolindor pas rënies së komunizmit, zbulojnë se polici që qëlloi mbi studentin Beno Ohnesorg, në fakt kishte qenë një spiun i Shërbimeve të Fshehta të regjimit komunist të Gjermanisë Lindore.

Në një artikull që do të shfaqet në fundin e muajit maj në revistën "Deutschlandarchiv", publikim periodik që i dedikohet projektit të unifikimit gjerman, autorët Helmut Myler-Enbergs dhe Kornelia Xhabs, do të zbulojnë se polici në fjalë, i quajtur Kurras, kishte nisur të punonte për Stasi-n që në vitin 1955. Ai kishte dashur të zhvendosej në Berlinin Lindor për të punuar për llogari të policisë së Gjermanisë Lindore. Në vend të kësaj pranoi të nënshkruante një marrëveshje me Stasi-n, ku pranonte të mbetej në forcat e policisë së Berlinit Perëndimor dhe të kryente aktivitete spiunazhi për llogari të shtetit komunist.

Si rezultat i informacioneve të sapozbuluara, mbi Kurrasin po ngrihen sërish akuza kriminale. Ish-polici është akuzuar në vitin 1967 dhe 1970 për vrasjen e paqëllimshme të studentit Beno Ohnesorg. Kurras, lidhur me zbulimin e ri, tha të premten për gazetën berlineze "Tagesspiegel" se nuk kishte bashkëpunuar kurrë me Stasi-n.

Por, përtej zbulimit të lidhjes mes Kurrasit dhe Stasi-t, dy historianët kanë zbuluar edhe të dhëna të tjera ku kuptohet se gjermanolindorët qenë shumë të kënaqur nga informacionet e vlefshme që u kalonte Kurrasi, veçanërisht në çastin kur ai u caktua në një divizion të policisë përgjegjëse për zbulimin e spiunëve në radhët e forcave të ruajtjes së rendit të Gjermanisë Perëndimore.

Menjëherë pas vdekjes së Beno Ohnesorg, Kurrasi mori urdhër nga Stasi që të shkatërronte të gjitha dokumentet që mund ta komprometonin dhe "të ndalte çdo lloj aktiviteti për momentin". Kurrasi iu përgjigj pozitivisht atij urdhri dhe vërejti se "i duheshin para për një avokat".

Rrethanat e vrasjes së studentit 26-vjeçar nuk u qartësuan kurrë përfundimisht, vetë Kurrasi, që sot është 81 vjeç, gjatë seancave të marrjes në pyetje nga autoritetet policore ofroi versione të ngjarjes që binin në kundërshtim me njëri-tjetrin. Sa për versionin zyrtar, në të mbështetet ideja se Kurrasi hapi zjarr për t‘u vetëmbrojtur. Ndërkaq ishin të shumta dëshmitë në atë kohë sipas të cilave studenti po goditej nga policët në çastin që u shkreh ai plumb fatal.

Mbetet ende e paqartë se si do të ndikojnë provat e reja në perceptimin e historisë së asaj ngjarjeje tragjike. Ajo mbrëmje ishte e mbushur me dhunë. Policët e demonstruesit e godisnin njëri-tjetrin me tuba metalikë, shkopinj druri, gurë e gjithçka tjetër mund të shtinin në dorë. Policët atë mbrëmje qenë edhe më të zemëruar prej fjalëve sipas të cilave një koleg i tyre ishte goditur me thikë gjatë orëve të para të asaj mbrëmjeje. Gjithsesi, me saktësi dihet tashmë se vetë Beno Ohnesorg nuk ishte i përfshirë në veprime të dhunshme, të paktën në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Berlini Perëndimor, gjatë viteve ‘60-‘70, u kthye në epiqendrën e radikalizmit majtist. Qyteti kishte qenë prej kohësh me prirje të dukshme majtas, dhe fakti që berlinezët qenë përjashtuar nga shërbimi ushtarak do të thoshte se ishte kthyer në magnet të pacifistëve dhe aktivistëve antishtet.

Vdekja e studentit të letërsisë Beno Ohnesorg u dha atë që kërkonin, një emër martiri për t‘u vënë nëpër pankarta e për t‘u thirrur me zë të lartë. Në çastin kur lëvizja majtiste mori trajta edhe më radikale, shumë nisën t‘i justifikonin veprimet e tyre të dhunshme, duke treguar me gisht brutalitetin policor që solli si pasojë vdekjen e studentit 26-vjeçar. Në një letër të shkruar nga Ulrike Meinhof, ku deklarohej themelimi i Fraksionit të Ushtrisë së Kuqe (RAF), e cila u shfaq në faqet e revistës "Der Spiegel" në fundin e vitit 1967, përmendej në formë eksplicite incidenti ku gjeti vdekjen Ohnesorg. RAF-i e terrorizoi për dekada Gjermaninë Perëndimore. Organizata radikale "Lëvizja 2 qershori" përdori ditën e vrasjes së Ohnesorg si emërtim.

Nga ana e tij, Kurrasi duket se është konsideruar si agjent shumë i vlefshëm nga ana e Stasi-t. Në dosjen e tij vërehet se "është i gatshëm të përmbushë çdo detyrë që i ngarkohet". Aty thuhet gjithashtu se shquhet si "njeri që zotëron guximin dhe qëndrueshmërinë e nevojshme për të kryer misione të vështira".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›