E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shoqata e të Verbërve, notë proteste Kryeministrit

Shoqata e të Verbërve, dega Berat, ka reaguar dje,
për aktin e dhunës që u regjistrua ndaj një të
moshuare, pak ditë më parë përpara Kryeministrisë.
Me anë të një letre, në formën e një note proteste,
anëtarët e kësaj dege i janë drejtuar Kryeministrit
të vendit, duke i kërkuar të reagojë ndaj skandalit
të ndodhur përpara institucionit që ai drejton. Rreth
1500 anëtarët e Shoqatës së të Verbërve kanë firmosur
dje një notë proteste adresuar Kryeministrit Sali
Berisha, ku kanë kërkuar të merren menjëherë masa
për vënien përpara përgjegjësisë së autorit që krijoi
incidentin. Kryetari i degës së Shoqatës së të Verbërve,
Josif Miho, si dhe anëtarët e shoqatës dega Berat
kërkojnë që autori që dhunoi gruan e verbër në protestë
duhet të përballet me ligjin. Me anë të kësaj letre,
ata kanë kërkuar marrjen e masave që dhe kjo
kategori shoqërore të përfshihet në procesin zgjedhor.
"Privimi nga e drejta e votës, siç po ndodh me
këtë kategori në vendin tonë, është shkelje e konventës
së të drejtave të njeriut", kanë nënvizuar të
verbrit. Ata kërkojnë të mos lihen mënjanë, pasi gëzojnë
të drejtën e votës. Ndërkohë, ata kërcënojnë
me përshkallëzime të protestave të tyre, nëse kërkesat
vazhdojnë të bien në vesh të shurdhët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›