Oazi i Tiranës

Në të kaluarën zhvillimi pa kriter i
ndërtimeve në qytetin e Tiranës ka parë zhdukjen e shumë ndërtimeve me vlera
apo rrënoja duke sjellë dëmtim të trashëgimisë kulturore. Këtë trysni, që bën
zhvillimi pa kriter e pa plan ne e kemi parë në punimet amatoriale të punëtorëve
të Bashkisë së Tiranës apo të firmave, si në rastin e Kalasë së Tiranës, dhe jo
më larg se vendi ku ne ndodhemi
Nga
Ferdinand Xhaferraj*
Mozaiku i Tiranës, ky monument kulture, është
pa dyshim një prej oazeve arkeologjikë më të hershëm të qytetit të Tiranës.
Ky monument, mbart shumë vlera, për sa i përket
trashëgimisë së kryeqytetit. I zbuluar fillimisht në vitin 1972, kishte disa
vite që nuk restaurohej. Me projektin e financuar nga MTKRS mozaiku u
konsolidua duke u rikthyer në një gjendje të mirë. Arkeologët mendojnë se kemi
të bëjmë me një qendër të shekujve të parë pas Krishtit, që në fillim të shek.
III u zëvendësua me një vilë fshatare (vila rustika). Specialistët mendojnë që
në shek. V-VI, vila u zëvendësua me një bazilikë paleokristiane.
Kompleksi i vilës romake, është një dëshmi
shumë e rëndësishme për identitetin historik të vendbanimeve të hershme në
kryeqytetin tonë. Perceptimi për kryeqytetasit është se Tirana, vendbanimet më
të hershme i ka të shek. 13-14 të erës sonë. Duke patur parasysh që në Tiranë
dhe veçanërisht pranë këtij monumenti ka rrënoja arkeologjike, DRKK Tiranë do
të paraqesë së shpejti një propozim për shpalljen e zonës rreth Mozaikut në
Zonë Arkeologjike A dhe B të mbrojtur nga shteti, duke hapur edhe perspektivën
për më shumë gërmime arkeologjike dhe prezantim më të mirë të trashëgimisë
kulturore.
Kërcënimi nga zhvillimi urban pa kriter
Në të kaluarën zhvillimi pa kriter i
ndërtimeve në qytetin e Tiranës ka parë zhdukjen e shumë ndërtimeve me vlera
apo rrënoja duke sjellë dëmtim të trashëgimisë kulturore. Këtë trysni, që bën
zhvillimi pa kriter e pa plan ne e kemi parë në punimet amatoriale të punëtorëve
të Bashkisë së Tiranës apo të firmave, si në rastin e Kalasë së Tiranës, dhe jo
më larg se vendi ku ne ndodhemi.
Gjatë vitit 2009, Drejtoria Rajonale e
Tiranës, inicioi projekti pilot Rinia dhe Trashëgimia Kulturore, i zhvilluar me
shkollat e mesme te Tiranes, që njohu më shumë se 1500 nxënës me vendndodhjen e
këtij monumenti si dhe me vlerat e tij.
Vizitueshmëria
Në sajë të tabelave orientuese të vendosura
nëpër Tiranë, një web-siti dhe disa nismave për njohjen e turistëve të huaj dhe
vendas, kemi një rritje nga rreth 250 vizitorë në 2008, në më shumë se 4 000
vizitorë në vitin 2009, prej të cilëve 20% janë me kombësi të huaj. Fokusi i
punës ka qenë afrimi i të rinjve kryeqytetas dhe njohja e një monumenti kulture
kaq të rëndësishëm të trashëgimisë së qytetit. Duke vendosur një ciceron jemi
munduar ti ofrojmë një eksperiencë turistike e cila përngjason me ato të ofruara
nga site të ngjashme në Evropë. Në po këtë linjë Agjencia Kombëtare e Turizmit
dhe DRKK Tiranë po hartojnë një material promocional dhe udhëzues vizual që do
i ndihmojnë turistet të njihen më mirë me vlerat e këtyre monumenteve.
Vizioni për të ardhmen
MTKRS do të vijojë punën jo vetëm për të
vlerësuar më mirë një monument të tillë kompleks si mozaiku, por edhe me
restaurime objektesh kulti dhe inxhnierike por edhe muze, si Teqja e Sheh
Dyrrit në Tiranë, Kisha e Shën Marisë në Lubonjë dhe Muzeu Arkeologjik i
Durrësit, më i madhi i këtij lloji në Shqipëri.
(*) Dërguar nga autori, fjala e mbajtur në përurimin
e punimeve te Mozaiku i Tiranës