E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në kërkim të shtetit palestinez

A do tia arrijë i dërguari special i SHBA-së,
George Mitchell, që ti ringjallë negociatat paqësore në Lindjen e Mesme?
Izraeli kërkon që nëse krijohet shteti i Palestinës, atëherë ky shtet duhet të
demilitarizohet. Në anën tjetër, Hamasi tërhoqi informatën se kjo organizatë
është e gatshme ta njohë Izraelin

Nga DPA

Pa marrë parasysh goditjet e pësuara kohëve të fundit, i dërguari special i
SHBA-së, George Mitchell, po vazhdon përpjekjet për të ringjallur negociatat
paqësore në Lindjen e Mesme.

Ai filloi një rreth të ri të negociatave me palestinezët dhe izraelitët. Në Tel
Aviv, fillimisht u takua me Ministrin Izraelit të Mbrojtjes, Ehud Barakun.
Gjatë takimit që zgjati rreth dy orë, është diskutuar për hapat që duhet të
ndërmerren në vendosjen e sërishme në shteg të procesit paqësor në mes të
Izraelit dhe palestinezëve.

Mitchell, i cili për herë të fundit vizitoi rajonin në nëntor të vitit të
kaluar, më vonë u takua edhe me Kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahun
dhe në Ramallah u takua edhe me presidentin palestinez, Mahmoud Abassin.

Në anën tjetër, kryenegociatori i autoriteteve palestineze, Saeb Erekat, akuzoi
Izraelin se po i pengon me qëllim përpjekjet paqësore të Mitchellit.

Që nga dita e parë Netanyahu ka bërë çmos për ti sabotuar përpjekjet paqësore
të Mitchellit dhe ka arritur sukses në këtë fushë, tha Erekat.

Gjatë një takimi që pati me gazetarët e huaj në Jerusalem, Netanyahu theksoi se
pas krijimit të shtetit të Palestinës, Izraeli duhet ta ruajë praninë ushtarake
në kufijtë lindorë të shtetit të ri, duke shtuar se kjo masë është e
domosdoshme për ta pamundësuar trafikimin e armëve nga Jordania.

Erekat theksoi se kjo deklaratë dëshmon për synimin e Netanyahut që ti mbajë
të okupuara territoret palestineze dhe se ai me këtë qëndrim de fakto po
imponon zgjidhjen me një shtet, apo më saktë, shtetin e përbashkët për dy
popujt.

Kryeministri izraelit gjithashtu iu bëri thirrje palestinezëve për rifillimin e
negociatave, pa vendosur me këtë rast kushte paraprake.

Palestinezët kanë hipur në një dru të gjatë dhe si duket po ju pëlqen aty. Dhe
sa më të gjata që janë shkallët që ju ofrojmë, aq më lartë hipin ata. Kjo duhet
të marrë fund, tha Netanyahu.

Palestinezët e kanë kushtëzuar rifillimin e negociatave me ndërprerjen e plotë
të aktiviteteve nëpër kolonitë hebreje, të cilat gjenden në territoret
palestineze dhe në Jerusalemin Lindor.

Ndërkohë, organizata radikale palestineze, Hamas, theksoi se është e gatshme
për njohjen e përkohshme të shtetit të pavarur të Palestinës, në kufijtë që
kanë ekzistuar para luftës në vitin 1967. 

Megjithatë, zëdhënësi i kësaj organizate, Mahmud Al Ramahi, deklaroi se kjo nuk
nënkupton edhe njohjen e shtetit të Izraelit.

Gazeta izraelite Jerusalem Post, më herët kishte raportuar se Kryetari i
Parlamentit të kryesuar nga Hamasi, Asis Dveik, ka pohuar se Hamasi është i
gatshëm të njohë Izraelin dhe që të heqë dorë nga synimi për ta shkatërruar
këtë shtet.

Megjithatë, Dveik më pas e mohoi këtë informatë, duke theksuar se raporti në
gazetën sioniste është i pasaktë.

Ne nuk do ta pranojmë të drejtën për okupimin e tokave tona. Hamasi nuk do të
heqë dorë as nga synimet e veta të shprehura, tha ai.

Edhe Al Ramahi tha se Hamasi do të pranojë vetëm zgjidhjen e përkohshme të
vendosjes së një armëpushimi afatgjatë me Izraelin, por shtoi se kjo
organizatë nuk do ta njohë të drejtën e Izraelit që të ekzistojë në tokat e
palestinezëve. 

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›