E Diel, 1 Nëntor 2026

Politikës i duhet gjak i ri, ngjyrë e re, kuptim i ri

Në Kosovë, më shumë se kudo në Ballkan, ka
nevojë për një qasje e re ndaj vlerave dhe moralit të politikës. Duhet të japim
shembull dhe ta rrisim besimin tek populli se gjithmonë mundet më mirë, por
edhe atëherë kur e marrim besimin për të qeverisur - të qeverisim më mirë

Mimoza
Kusari 

Urimi im për vitin 2010, në njërën prej të përditshmeve tona, ishte për
heronjtë e rinj, për ata që veprojnë ndryshe, për ata që marrin guximin të
shprehen me zë të lartë kur mendojnë ndryshe.

Sot më shumë se kurrë mendoj për inkuadrimin e të rinjve në procesin e
vendimmarrjes. Ja disa prej arsyeve pse duhet të kemi mënyrë të re të bërjes së
politikës në Kosovë.

Komunikimi me bazën
Vit pas viti shohim rënie në numrin e votuesve në Kosovë. Shumë e arsyeshme,
pasi më në fund u kuptua se komunikimi aktiv me bazën ndodh një herë në 2 vite,
në fushatë (ose para fushatë) para zgjedhjeve lokale ose atyre të përgjithshme.
Ky komunikim në fushatë është i njëanshëm, partitë politike premtojnë, ndërsa
populli dëgjon dhe shpreson se kësaj radhe të paktën gjysma e këtyre premtimeve
do të realizohen. Votim pas votimi, tek kutitë do të mbesin vetëm ata që nuk
kanë asnjë zgjidhje tjetër pos të besojnë se ndoshta do të behet më mirë dhe
ndoshta vota e tyre do ti shpëtojë vjedhjes. 
Komunikimi me bazën duhet të vazhdojë, por jo duke i treguar bazës pse duhet të
kemi zgjedhje tjera, por duke i dëgjuar hallet e tyre dhe duke rekomanduar
zgjidhje reale për problemet e tyre, bashkë me ta. Mbi të gjitha, duke e
respektuar bazën dhe duke ia vlerësuar durimin dhe maturinë e treguar në tërë
decenien e fundit kur klasa politike në Kosovë ende nuk është mësuar ti
vendosë hallet e qytetarit para të partisë.

Komunikimi në mes vete 
Vërehet që partitë nuk po mund të komunikojnë qartë në mes vete në raportin
qendër degë dhe vice versa, e lëre më me bazën. Edhe ne në AKR e patëm dhe e
kemi pjesën tonë të fajit në komunikimin intern. Prandaj, them se duhet ti
kuptojmë hallet e të tjerëve, të kuptojmë pse ekzistojmë ne si subjekte
politike. Partitë në koncept duhet të jenë bashkësi të njerëzve me ideologji të
njëjtë dhe botëkuptime të njëjta. Mund të mos pajtohemi për detaje, por parimet
duhet të ekzistojnë dhe atyre duhet tiu përmbahemi. Por, prehja në këtë
situatë për subjektin tonë është se pakënaqësi dhe divergjenca në mendime
shohim në të gjitha partitë në Kosovë pa përjashtime, varet se si i kontrollojnë
ato dallimet në mendime, sa është ndikimi dhe në cilën mënyrë lideri i ulë të
gjithë zërat ndryshe dhe të pakënaqur, duke e kontrolluar situatën përball
opinionit. 
Por, ndoshta duhet të kemi më shumë komunikim dhe më shumë debate në mes vete
dhe të arrijmë të kuptojmë një gjë: ose do të veprojmë për interesat e
votuesit, ose nuk do të veprojmë fare. Si subjekt relativisht i ri politik,
them se kemi shansin shumë të mirë të vazhdojmë me më shumë ide të reja dhe
mënyra të reja të të menduarit. Në mendimin e shkollës së biznesit thuhet se
nuk mund të kesh sukses nëse vazhdon ti bësh gjërat në të njëjtën mënyrë dhe
të presësh që ndryshimi të ndodhë vetvetiu. Këtë e vërejmë te disa subjekte të
cilat tregojnë dhe proklamojnë se kanë ide dhe vizion të ri, por njerëzit
mbesin të njëjtit e asgjë nuk ndryshon në mënyrën e të sjellurit dhe atë të
menduarit nga ajo çfarë ka qenë një dekadë më herët. 

Fjalori i ri 
Shpallja e pavarësisë e varfëroi fjalorin e politikës së Kosovës. Deklaratat e
llojit: Me ne, Kosova vendi i pavarur dhe sovran, i integruar në strukturat
Euro Atlantike, janë zëvendësuar me: Me ne, Kosova në Evropë. Çfarë
prezanton koncepti evropian për dikë në fshat që nuk është as 5 km larg zonës
urbane dhe nuk ka qasje në ujë të pijes dhe kanalizim (siç ndodh në fshatrat e
shumë komunave në Kosovë)? Çfarë koncepti evropian do tia prezantojë një
subjekt politik një familjeje shumanëtarëshe me vetëm një të punësuar? 
Ndoshta politika do ta ndryshojë fjalorin kur në esencë do ta kuptojë hallin e
popullit të cilit ia kërkon besimin me aq ngulm. 

Etika e re e politikës 
Kosovës i duhen politikanë të cilët prezantojnë vlerë në të gjitha sferat e
jetës. Duke filluar nga etika dhe ruajtja e vlerave të familjes, e deri te e
shumëpërfolura lufta ndaj korrupsionit. 
Çfarë etike prezanton politika kosovare, kur fshehtësi publike është jeta e
shumëfishtë private e një numri të konsideruar të politikës sonë? Familja është
një ndër institucionet e rralla që kanë arritur të jenë me strukturë në dekadën
e fundit, por për vlerat e familjes nuk kanë respekt as politika e as partitë
politike. 
Jam e sigurt se sikur të kishim më shumë respekt për familjen, për vlerat e saj
dhe për anëtarët e saj, do të kishim më shumë respekt edhe për veten, politikën
dhe me siguri do të kishim më shumë femra në politikë. 
Shumë luftë bëhet se si nuk kemi qasje në pushtet që të mund ta keqpërdorim atë
përderisa e keqpërdorë dikush tjetër. 
Në Kosovë, më shumë se kudo në Ballkan, duhet një qasje e re ndaj vlerave dhe
moralit të politikës. Duhet të japim shembull dhe ta rrisim besimin tek populli
se gjithmonë mundet më mirë, e edhe kur e marrim besimin për të qeverisur - të
qeverisim më mirë. Sot kemi parti të zhgënjyera se nuk qeverisin në qendër,
edhe pse në nivel komunal qeverisin dhe ajo qeverisje nuk ndryshon aspak nga
ajo që e kritikojnë në qendër. Qeverisja lokale e një partie është shembull se
si do të qeverisë ajo në qendër. Kur shoh parti opozitare të qeverisin në nivel
komunal dhe punësojnë në baza partiake, përjashtojnë në baza partiake,
ndërtojnë dhe eksproprijojnë në baza partiake, pyes veten, si mund të jenë këta
më ndryshe nëse qeverisin në qendër? Prandaj, të gjithë ata që synojnë të
tregojnë se do të bënin ndryshe, le të na dëshmojnë duke bëre ndryshe aty ku
tani kanë shansin dhe pushtetin. 

Fytyra dhe emrat e panjohur, megjithatë e kanë të mundur suksesin 
Fitorja e republikanit Skot Broun (Scot Brown) si Senator në zgjedhjet e
veçanta në shtetin amerikan Massachusetts, pas vdekjes së senatorit nga familja
demokrate Ted Kennedy, vëllait të presidentit të ndjerë John F. Kennedy, solli
një fllad të ri në politikën amerikane. Menjëherë, një kandidat i panjohur u
prezantua si i ri, karizmatik, me përvojë prej ushtarit që shërbeu në
Kazakistan dhe Paraguai për trupat amerikane, tek manekini i cili pozoi për ti
financuar studimet, shkundi themelet e demokrateve duke i dhënë fund
entuziazmit të zgjedhjeve të Obamas. 
Në anën tjetër, në politikën kosovare kemi vazhdimisht deklarata për të rinjtë
se janë të ri në politikë, nuk dinë shumë nga politika dhe nuk do të kenë
sukses tek populli. Për të gjithë ata që e kanë këtë mendim, ja një e vërtetë e
hidhur: ndoshta nuk na duhet shumë të mësojmë nga politika dhe retorika e
vjetër. 
Fytyrat e reja me etikë dhe me vlera të reja i duhen më shumë se kurrë Kosovës.
Na duhet një gjuhë më e afërt dhe konkrete duke mos harruar pse ekzistojmë dhe
pse jemi krijuar si subjekte, së pari ti shërbejmë popullit e pastaj vetes, në
të kundërtën mund të krijojmë subjekte individuale (nëse kemi ide për to). Mos
ti ngarkojmë të tjerët me paaftësitë tona për të shërbyer dikë tjetër, përveç
vetes. 

Express

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›