Obama “s’do të duhej” t'i kërkojë falje Afganistanit

Duke folur për Fox News, Mitt Romney, ka thënë se duke marrë parasysh numrin e ushtarakëve amerikanë që kanë humbur jetën në Afganistan, ashtu si edhe shpenzimet, “kërkim-falja është diçka shumë e vështirë për t’u pranuar nga populli amerikan”.
Newt Gingrich ka thënë se procesi “i njëanshëm” i kërkim-faljes ka shkuar shumë larg, ndërkohë që “nuk ka ndonjë kërkesë për ndjesë nga ana e presidentit afgan Karzai”.
Rick Santorum ka qenë më i fuqishëm në komentet e tij për CNN, duke thënë se “protestat dhe dhuna kundër ushtarëve amerikanë në Afganistan, që pasuan lajmet për djegien e Kuranit, kanë qenë krimi i vërtetë dhe jo ajo që kanë bërë ushtarët tanë”.
Ditë më parë, presidenti amerikan ka kërkuar falje për djegien e Kuranit, që ka ndodhur në një bazë ushtarake të SHBA-së në Afganistan. Obama ka thënë se “incidenti nuk ka qenë i qëllimshëm”.