Kina e quan SHBA-në “superfuqi arrogante”

Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme në Pekin i konsideroi komentet si “të papranueshme”, ndërsa e cilësoi sjelljen e Washingtonit si “super arrogante”.
Clinton deklaroi të premten se vetoja kineze dhe ruse kundër rezolutës së masave ndaj regjimit të Damaskut ishte “për keqardhje”. Deklarata e saj u bë nga Tunizia, ku amerikanët udhëhoqën konferencën e “Miqve të Sirisë”, një takim ndërkombëtar i propozuar nga vendet arabe, që synonte të rrisë trysninë mbi Damaskun.
“Motivet që shtyjnë amerikanët të bëjnë një paradë si gjoja mbrojtësit e vendeve arabe nuk janë të vështira të imagjinohen. Nga ana jonë, pyesim vetëm se mbi çfarë bazash morale Washingtoni i jep vetes rolin e një super-protektori dhe këtë e bën me një superego e super-arrogancë në drejtim të komunitetit ndërkombëtar”, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë, Hong Lei.
“Edhe sot, në Irak nuk ka kurrfarë sigurie dhe garancie për jetën. Vetëm ky fakt duhet të na bëjë të vendosim në pikëpyetje të madhe sinqeritetin dhe efikasitetin e politikës ndërkombëtare amerikane”, shtoi ai.
Kritika e ashpër e superfuqisë aziatike erdhi një ditë pasi Siria mbajti një referendum mbi ndryshimet kushtetuese, pavarësisht trazirave në të cilat është e përfshirë.