E Diel, 1 Nëntor 2026

Obama: Amerika është rikthyer

Në fjalimin e tij vjetor në sesionin e përbashkët të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, presidenti amerikan, Barack Obama, e ka paraqitur planin për korrektësi më të madhe ekonomike dhe hapjen e më tepër vendeve të reja të punës.

Ai po ashtu, gjatë fjalimit drejtuar vendit, ka theksuar të arriturat e politikës së jashtme të tij, gjatë vitit të kaluar, duke shpallur se “Amerika është kthyer”.

“Për herë të parë pas 9 vjetësh, nuk ka më amerikanë që luftojnë në Irak. Për herë të parë në dy dekada, Osama Bin Laden nuk përbën më kërcënim për këtë vend. Shumë nga zëvendësit e tij kryesorë janë eliminuar. Talebanët janë dobësuar dhe disa trupa nga Afganistani po kthehen”, theksoi Obama.

Presidenti njoftoi se po prezanton një plan të ri për një ekonomi të qëndrueshme, të mbështetur në prodhimet, energjinë dhe talentet e punonjësve amerikanë dhe tek ajo që ai e quajti “ripërtëritje të vlerave amerikane”.

Presidenti u bëri thirrje ligjvënësve që të ndjekin shembullin e trupave amerikane dhe të punojnë së bashku për të formuar një vend që udhëheq botën në arsim, tërheq një brez të ri të prodhimeve të teknologjisë së lartë dhe me punë që paguajnë mirë, me një ekonomi ku puna dhe përgjegjësia shpërblehen.

Duke folur për Pranverën arabe, Presidenti tha se nuk është e sigurt se si do të përfundojë ky transformim.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›