Obama: BE të pranojë anëtarësimin e Turqisë

Bashkimi Evropian duhet të çojë përpara procesin e zgjerimit dhe të pranojë Turqinë si vend anëtar me të drejta të plota, deklaroi sot presidenti amerikan Barack Obama gjatë punimeve të samitit BE-SHBA në Pragë. "Avancimi i procesit të anëtarësimit të Turqisë në Bashkimin Evropian do të ishte një sinjal i fuqishëm i angazhimit të bllokut evropian ndaj axhendës së zgjerimit dhe të garancisë që ne vazhdojmë të afrojmë me vendosmëri Turqinë me Evropën", iu drejtua presidenti amerikan krerëve të shteteve të 27 vendeve anëtare të BE-së. Turqia prej një kohe të gjatë aspiron të anëtarësohet në bllokun 27-anëtarësh, dhe deklarata e Obamës përfaqëson riafirmimin e mbështetjes së SHBA-së ndaj integrimit evropian të vendit të madh mysliman. Por, ndërkohë disa shtete të rëndësishme evropiane, si Gjermania dhe Franca, janë shprehur kundër anëtarësimit të Turqisë.