Kapet i kërkuari nga policia, ishte dënuar me pesë vite burgim për pedofili
Tiranë – Forcat e policisë kanë mundur të ndalojnë në hyrje të qytetit Studenti në Tiranë, 26-vjeçarin Andi Zaimi, lindur e banues në Shkodër, i shpallur në kërkim nga policia. Sipas të dhënave për gazetën “Albania” ndaj tij ekzistonte një urdhër-ndalimi i prokurorisë së Shkodrës që në vitin 2005, pasi Gjykata e Apelit Shkodër, e ka dënuar këtë person me 5 vite burg për veprën penale të “Kryerjes së marrëdhënieve seksuale me dhunë me të mitur”.
Qëllon 5 herë pa sukses mbi fqinjin, me plumbin e fundit vret veten
Shkodër – “Ma bëni hallall se unë do të vras veten” kanë qenë fjalët e fundit që një 52-vjeçar u ka thënë nëpërmjet telefonit familjarëve të tij. Por në fakt me pistoletë në dorë Ahmet Ethemi ka ndjekur për disa minuta madje edhe duke e qëlluar disa herë komshiun e tij me iniciale, B. Z. Asnjë plumb nuk preku fqinjin, ndërsa policia rrethoi 52-vjeçarin, i cili më pas vrau veten. Ngjarja e cila ka terrorizuar për disa minuta shtetasin B.Z, dhe ka alarmuar policinë ndodhi pak pas mesditës së djeshme në lagjen “Kongresi i Përmetit” në Shkodër. Policia, e cila u sinjalizua për ngjarjen bëri të ditur se Ahmet Ethemi, 52 vjeç, lindur e banues në lagjen “Guerrile”, të qytetit të Shkodrës, në gjendje të dehur, dhe për shkak të një gjendje të rënduar psikike, ka nisur një sherr çasti me fqinjin e tij B. Z. Më pas ai e ka qëlluar atë me arme zjarri pistolete në vendin e quajtur Kryqëzimi i “Fishtës”. Ethemi ka vazhduar të ndjekë duke qëlluar në mënyrë të çrregullt në drejtim të fqinjit të tij B. Z. për disa metra. Në këto momente shërbimet e policisë kanë mundur ta ndalojnë atë i cili për t’ju shmangur policisë ka hyre brenda ambienteve të një dyqani ushqimor ku dhe është vetëvrarë. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale arma e zjarrit tip-pistoletë, me të cilën 52-vjeçari ka kryer aktin e vetëvrasjes. Nga hetimet e kryera dhe nga pyetja e familjareve, rezulton se viktima u ka deklaruar familjareve të tij, nëpërmjet telefoni pak minuta para se të kryente aktin, duke i thënë “Ma bëni hallall se unë do vras veten”.
5 Qershor 2009