I dehuri masakron gruan për vdekje
VLORE/ QEMAL BIRAKU
I dehur masakron të shoqen, nënën e 3 fëmijëve të mitur. Krimi në familje u regjistrua këtë herë në fshatin Armen të Vlorës, kur Maksim Hodaj, 36 vjeç rrahu e më pas i përplasi kokën për vdekje gruas 33-vjeçare, Luljeta. Autori është shpallur në kërkim, ndërsa policia po heton për motivet e vrasjes. Sipas të dhënave paraprake, burri dyshohet se është kthyer në shtëpi në gjendje të dehur dhe në rrethana ende të paqarta në orën 03:00 të mëngjesit të djeshëm. Ai ka nisur të grindet me të shoqen e më pas ta dhunojë fizikisht atë. Pas disa minutash debati me zë të lartë, burri e ka qëlluar të shoqen me grushte e shkelma e më pas kanë ardhur goditjet fatale, kur ai i ka përplasur kokën në dysheme. Gjatë sherrit, fëmijët kanë qenë në dhomën ngjitur, por sipas burimeve ata kanë qenë në gjumë dhe nuk janë bërë pjesë e ngjarjes tragjike në familjen e tyre. Fqinjët kanë qenë të parët që dëgjuan zhurmat dhe gjetën më pas gruan e vdekur. Ajo kishte plagë të shumta në trup, por ekspertët thonë se goditjet në kokë i kanë shkaktuar vdekjen e sigurt. Kur ka parë që bashkëshortja nuk po jepte asnjë shenjë jete, 36-vjeçari është larguar nga shtëpia. Banorët pranë familjes Hodaj, disa prej tyre të afërm, kanë parë lëvizjet e kryefamiljarit në mes të natës, menjëherë pas pushimit të zhurmave. Të frikësuar dhe duke dyshuar për ndonjë gjë të rëndë, ata kanë trokitur në shtëpinë e tyre. Asnjë nuk është përgjigjur, ndërsa dera ishte e hapur. Ata kanë treguar për policinë më vonë se hynë brenda, duke gjetur brenda dhomës së gjumit gruan e gjakosur. Pas njoftimit të policisë janë kryer veprimet në vendngjarje, për të zbardhur rrethanat e kryerjes së krimit. Zhdukja e bashkëshortit dhe fakti që vrasja kishte ndodhur në dhomën e gjumit të çiftit, nuk linte asnjë dyshim se kush ishte autori. Nga hetimi ka rezultuar se dëshmitarë të ndryshëm kanë treguar se Maksim Hodaj kishte pirë në një nga lokalet e zonës me disa të njohur deri në orën 02:30, duke kryer krimin sapo është kthyer në shtëpi. Mendohet se fakti që ishte i dehur ka krijuar grindjen, për të përfunduar në marrjen e jetës së nënës së 3 fëmijëve, vajzës 13-vjeçare dhe dy djemve, 8 vjeç dhe 8 muajsh. Të njohur të familjes pohuan për policinë se çifti nuk kishte pasur konflikte të mëparshme, veç ndonjë rasti kur burri kthehej i pirë. Ata jetonin në një shtëpi 2-katëshe dhe të ardhurat siguroheshin nga burri që punonte si shofer furgoni, për të transportuar pasagjerë në fshatrat përreth, ndërsa gruaja ishte shtëpiake. Policia ka nisur kërkimet për autorin, duke kontrolluar zonën nga Vlora e deri në Mallakastër.