E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama: Industria amerikane e automjeteve është rigjallëruar

Sindikatat e punës i kanë mbështetur fuqishëm kandidatët e Partisë Demokratike për dekada. Konferenca e unionit të punonjësve të industrisë së automjeteve të martën në Washinton i ofroi një pritje entuziaste presidentit që në disa raste tingëllonte si një tubim politik.

“Ekonomia po bëhet më e fuqishme. Rëmëkëmbja po përshpejtohet. Është koha të mbajmë këmbën në pedalin e gazit dhe jo në frena. Nuk do të pranoj një vend ku vetëm disa kanë suksese dhe të gjithë të tjerët po luftojnë për të mbijetuar” ka theksuar Obama

Presidenti autorizoi në vitin 2009 një pagesë prej afro 25 miliard dollarësh për prodhuesit amerikan të makinave në probleme General Motors dhe Chrysler. Sot, General Motors ka rimarrë pozitën e saj si kompania më e madhe në botë e prodhimit të makinave. Chrysler po rritet. Dhe zoti Obama po pretendon së paku pjesë të suksesit të kompanive.

“Tre vjet më vonë, investimi ka dhënë rezultat. Jo vetëm për ju por për Amerikën. Pas tre vjetësh, industria amerikane e automjeteve është ringjallur” ka shtuar ai më tej.

Shumë republikanë e patën kundërshtuar huanë për industrinë e automobilëve. Ata ishin të shqetësuar lidhur me koston e lartë për taksapaguesit dhe perspektivën e përfshirjes së qeverisë në industrinë private. Mitt Romney, tani një prej kandidatëve kryesorë për emërimin e Partisë Republikane për president, shkroi një opinion në gazetën The New York Times në vitin 2008 të titulluar "Let Detroit Go Bankrupt" Lereni Detroitin të Falimentojë.

Shtëpia e Bardhë hodhi poshtë se pjesmarrja e presidentit në takim ishte një fjalim fushate zgjedhore. Megjithatë, zoti Obama foli po të njëjtën ditë që votuesit në Michigan, baza e industrisë amerikane të automjeteve, po votonin në zgjedhjet paraprake të Partisë Republikane.

Ndërkohë që bënte fushatë në Michingan më herët këtë muaj, zoti Romney tha se ndihma financiare për industrinë e automjeteve u bë në shkëmbim për kontribute të mëdha fushate për zotin Obama nga sindikatat e punonjësve të industrisë së automjeteve.

Ndërkohë, presidenti njoftoi se ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv për krijimin e një agjencie për vëzhgimin e shkeljeve tregtare nga partnerët e Amerikës. Përsëri ai veçoi Kinën.

“Po krijoj një njesi për mbikëqyrjen e tregtisë që do të përdorë të gjitha burimet e qeverisë federale për hetimet. Do të luftojmë çdo praktikë të shkeljes së rregullave të tregtisë në botë, përfshi nga vende si Kina” theksoi presidenti. Obama u kujtoi të pranishmëve se kishte nënshkruar një ligj tregtie me Korenë e Jugut, për të cilin tha se do të çojë në shitjen e më shumë makinave amerikane atje.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›