E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gazetarët largohen nga Syria, mbërrijnë në Liban

Reporterja franceze Edith Bouvier e plagosur pas sulmit të ushtrisë siriane në Homs, ndodhet aktualisht në Liban.

Presidenti francez Nikola Sarkozi foli disa orë pasi u konfirmua se edhe fotoreporteri britanik Pol Konrej ndodhej në vendin fqinj me Sirinë. Deklarata e tij per vendndodhjen e gazetares duket se i ka dhënë fund konfuzionit që zgjaste prej 24 orësh, mbi fatin e gazetares, megjithëse nuk ka një konfirmim të drejtpërdrejtë nga Libani.

Siç raportohet, gazetarët u ndihmuan nga forcat opozitare për tu larguar nga Homsi. Buvje dhe Konrej u plagosën gjatë sulmit ku humbën jetën Marie Colvin dhe Remi Ochlik.

Grupimi i Aktivistëve “Komitetet e Koordinimit Lokal” shpjegoi në faqen e Facebook-ut se Buvje dhe gazetarët e tjerë të huaj kishin refuzuar të largoheshin nga Homsi derisa regjimi i Sirisë t`u garantonte se fotografitë dhe gjithcka që kishin filmuar nuk do të konfiskohej. Por këto komente, nuk kanë gjetur një konfirmim të pavarur.

Qeveria siriane e ka zgjeruar ofensivën kundër kryengritësve në të gjithë vendin, duke dërguar ushtarë për herë të parë, në disa qytete në veri. Të paktën 125 persona u vranë në të gjithe vendin të hënën, shumë prej tyre në Homs dhe 60 të martën sipas Komiteteve te Koordinimit Lokal. Prej nisjes së protestave në mars të vitit të kaluar, sipas OKB-së kanë humbur jetën 7500 persona.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›