E Diel, 1 Nëntor 2026

Qipro, 3 ditë zi kombëtare për ish-presidentin,Papadopulos

Presidenti qipriot, Dimitris Kristofias ka njoftuar mbajtjen e zisë kombëtare triditore në vend për të nderuar kujtimin e pararendësit Tasos Papadopulos, një burrë i vërtetë shteti, i cili vdiq të premten nga kanceri në mushkëri. "Do të ketë tri ditë zi kombëtare dhe ceremoni zyrtare ditën e hënë", bëri të ditur presidenti përpara gazetarëve në përfundim të samitit europian në Bruksel. "I gjithë populli qipriot është shumë i trishtuar dhe i bën homazh një jete në shërbim të popullit të një burri të vërtetë shteti", shtoi ai. "Papadopulos ka qenë një protagonist i lëvizjes për çlirimin e Qipros, kemi punuar së bashku, kemi luftuar për një zgjidhje të drejtë të problemit qipriot", deklaroi Kristofias. "Papadopulos la gjurmë në historinë e ishullit. Të gjithë jemi shumë të hidhëruar ndaj vendosëm të shpallim tri ditë zie kombëtare në Qipro", shtoi ministri i Jashtëm qipriot Markos Kiprianu. Ndërsa kryeministri grek Kostas Karamanlis shprehu hidhërimin e tij të thellë lidhur me vdekjen e presidentit Papadopulos. "Kishim një marrëdhënie shumë të fortë, personale, por edhe një bashkëpunim gjatë viteve, sidomos në një periudhë themelore për Qipron", tha ai, duke përshëndetur një burrë që ia ka kushtuar jetën dhe energjinë luftës për ishullin e tij. Ish-presidenti qipriot Tasos Papadopulos vdiq pas një kanceri në mushkëri, më pak se një vit pas disfatës në zgjedhjet e fundit presidenciale që zhbllokuan bisedimet për ribashkimin e ishullit. Papadopulos, i cili mishëronte krahun e ashpër të nacionalizmit qipriot grek, ishte 74 vjeç.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›