Obama-Lee, qëndrim i përbashkët përballë Koresë së Veriut

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barack Obama dhe presidenti koreano-jugor Lee Myung-bak u takuan sot në Seul dhe shprehën një qëndrim të përbashkët përballë çdo kërcënimi të mundshëm nga Koreja e Veriut.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp pas takimit, zoti Obama tha se Koreja e Veriut nuk do të realizonte asgjë me kërcënime dhe tha se ky vend vetëm do ta thellonte edhe më tej izolimin e vet nëse lëshon një raketë muajin e ardhshëm, ashtu siç ka deklaruar.
Zoti Lee, ishte i një mendjeje duke e cilësuar lëshimin e rakete me rreze të gjatë veprimi një veprim provokativ dhe kërcënon paqen globale dhe është kundër rezolutave të Kombeve të Bashkuara dhe një marrëveshjeje me Shtetet e Bashkuara.
Komentet u bënë në prag të një takimi të nivelit të lartë për sigurinë bërthamore që hapet nesër në Seul.