E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama: Marrëveshja me Rusinë, për të ardhme më të sigurt

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia sot kanë rënë dakort për amarrëveshjen kryesore për armatimin bërthamor, sipas së cilës parashikohen reduktime të kokave luftarake dhe të raketave atomike, që ishin vendosur gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë. Presidenti amerikan, Barak Obama, dhe ai rus, Dimitri Medvedev, e kanë finalizuar marrëveshjen e re 10 vjeçare, gjatë një bisede të sotme telefonike. Marrëveshja do të nënshkruhet në Pragë, më 8 prill.
Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Oabma, ka shprehur kënaqësi për arritjen e marrëveshjes.
"Jam i kënanqur të shpallë se pas dy viteve të negociatave intensive, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia, kanë rënë dakort për marrëveshjen më gjithëpërfshirëse për kontrollin e armatimit në afro dy dekada", tha Barak Obama.
Ai theksoi se marrëveshja është "një hap tjetër përpara në lënien prapa të trashëgimisë së shekullit të 20-të, duke ndërtuar një të ardhme më të sigurtë për fëmijët tanë".
Në Moskë, zëdhënësi i presidentit Medvedev, tha se të dy presidentët e "falënderuan njëri tjetrin për bashkëpunim" gjatë bisdës së tyre telefonike.
Marrëveshja duhet të ratifikohet nga Senati i Shteteve të Bashkuara dhe Duma Ruse.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›