E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama-MekKein, ulje-ngritjet e debatit

Senatori Xhon MekKejn u përpoq që në debatin e fundit presidencial, të zhvilluar në të gdhirë të së enjtes, të ngrinte pikëpyetje mbi figurën personale dhe sidomos mbi karakterin e Obamës. Ai u përqendrua te forca e gjykimit dhe te politikat e parashtruara nga ana e rivalit gjatë një seksioni, që për nga shpirti luftarak i linte mjaft prapa dy të mëparshmit.

Ku duke folur me tone të ashpra, madje me zemërim, ku duke u bazuar te vendosmëria metodike për të bërë të qarta këndvështrimet personale, kandidati republikan u përpoq të ushtronte trysni mbi rivalin, duke ngritur pikëpyetje mbi qëndrimin e këtij të fundit mbi taksat, shpenzimet, tonet e diskutueshme që ka përdorur gjatë fushatës dhe sidomos lidhur me kontaktet e senatorit me ngjyrë me Uilliam Ajers, ish-liderin e grupit të ekstremit të majtë "Weather Underground". Ai nuk kurseu asnjë nga argumentet që ka mundur të grumbullojë gjatë gjithë kësaj kohe kundër rivalit demokrat, në përpjekje për të ndryshuar rrjedhën e fushatës, e cila deri në këtë çast është zhvilluar tërësisht në favor të Obamës.

Ndërkaq, Obama ruajti gjatë gjithë kohës një qëndrim të qetë, të shoqëruar nga një buzëqeshje e vazhdueshme, teksa u përgjigjej sulmeve të ashpra të kundërshtarit, duke këmbëngulur më së shumti në idenë që MekKejni, në rast se do të fitonte, do të përfaqësonte vetëm vazhdimësinë e politikave aspak popullore të Presidentit Bush, veçanërisht lidhur me sektorin ekonomik.

Kjo u bë edhe një prej temave qendrore të sulmeve të tij gjatë mbrëmjes, deri në çastin kur i lodhur nga akuza se kishte mbrojtur gjatë këtyre tetë vjetëve politikat ekonomike të Xhorxh Bushit, MekKejni u rrotullua drejt tij për t‘i thënë: "Senator Obama, unë nuk jam Presidenti Bush! Në rast se do të kishit dëshirë të kandidonit kundër Presidentit Bush, këtë duhet ta kishit bërë katër vjet më parë".

Duke pranuar se MekKejni dallonte nga Presidenti Xhorxh Bush, Obama replikoi: "Fakti për të cilin unë rastësisht i ngatërroj politikat tuaja me politikat e Xhorxh Bushit, vjen pasi në ato çështje kyçe të ekonomisë që janë më të rëndësishmet për amerikanët - politika e taksave, politika energjetike, prioritetet e shpenzimeve - ju keni qenë mbështetës fanatik i Presidentit Bush".

Debati u zhvendos në një larmi çështjesh, përfshi abortin, problemet me gjyqësorin, tregtinë, ndryshimet klimaterike, ashtu si edhe mbi ekonominë. Shpesh kandidatët u shfaqën me dallime të thella qëndrimesh nga njëri-tjetri.

Por njëherësh u vunë në pah edhe dy temperamente tepër të ndryshëm nga njëri-tjetri, tani vetëm tri javë nga dita e zgjedhjeve. Ajo që u ngulit më shumë në mendjen e shikuesve ishte imazhi prej njeriut të përmbajtur i Barak Obamës, i cili u përpoq që gjatë gjithë mbrëmjes të ruante qetësinë dhe të buzëqeshte, edhe në çastet kur sulmet e rivalit u bënë tepër të ashpra, ndërkohë që MekKejni, në çaste të caktuara, shfaqi shenja nervozizmi, në disa raste shpeshtoi ritmin e frymëmarrjes, shenja që nga shumë njerëz u lexuan si humbje qetësie.

Kandidatët qenë ulur pranë njëri-tjetrit në një prej sallave të Universitetit Hofstra dhe pranë tyre gjendej vetëm moderatori Bob Shifer i rrjetit televiziv CBS. MekKejni bëri të qartë që në fillim, se ka ndër mend të ndjekë këshillat e shumë prej mbështetësve të vet - mes tyre edhe bashkëkandiduesen për postin e zëvendëspresidentit të SHBA-së, Sara Peilin. U duk qartë se gjatë gjithë kohës u rrek ta ngacmonte Obamën për ta nxjerrë nga stili i tij i zakonshëm i debatit, i cili, si edhe herët e tjera, mbeti i shtruar dhe nën kontroll të plotë.

Sulmin ndaj Obamës lidhur me qëndrimin liberal të këtij të fundit me taksat e shpenzimet e nisi duke iu drejtuar në vetën e parë një votuesi, të cilin e kishte njohur gjatë kësaj jave - i quajtur Xho Vurzelbaher, me profesion hidraulik - e duke i sqaruar se politika e taksave të Obamës do ta ndëshkonte si pronar biznesi të vogël. Obama ka në plan të rrisë taksat mbi të gjitha ato biznese që fitojnë më shumë se 250 mijë dollarë në vit, kategori ku përfshihen disa lloje biznesesh të vogla dhe, nga ana tjetër, ka ndërmend t‘ua ulë të gjitha atyre familjeve të ardhurat e të cilave nuk i kalojnë 200 mijë dollarët në vit.

Në përpjekje për të vërejtur që kjo masë e Obamës do ta lëndonte ekonominë dhe sipërmarrjen, MekKejni tha se "që të gjitha projektet e senatorit Obama mund të klasifikohen si luftë klasash - le ta ndajmë pasurinë te të gjithë", duke përsëritur një frazë që Obama ia kishte drejtuar pak më parë hidraulikut Xho Vurzelbaher, për t‘i shpjeguar se ku donte të arrinte me rritjen e taksave për bizneset me fitime më të mëdha se 250 mijë dollarë.

"Përse ke ndër mend ta bësh diçka të tillë, kur të gjithë amerikanët gjenden në vështirësi ekonomike, kur këta pronarë biznesesh të vogla, si hidrauliku Xho, janë në gjendje të krijojnë vende të reja pune, por jo nëse juve ua merrni paratë e ua shpërndani të tjerëve", tha Xhon MekKejn.

Siç kishte vepruar edhe në dy debatet e mëparshme, Obama i nguli sytë drejt e në kamera dhe përsëriti planin e vet: "Tani, për sa u përket fjalëve që i drejtova hidraulikut Xho, ajo që doja t‘i shpjegoja në thelb është se, përpara pesë vjetësh, kur nuk ishe në gjendje ta blije biznesin tënd, atëherë kishe nevojë për ulje taksash. Dhe ajo që dua të arrij është që hidrauliku, infermierja, zjarrfikësi, mësuesi, sipërmarrësi i ri, i cili ende nuk ka para në dorë, nesër të jenë të lirë nga taksat".

Teksa debati u zhvillua në një ditë kur indeksi Dow Jones gjendej në një prej niveleve më të ulëta në histori, moderatori Shifer u përpoq të bënte diçka që nuk e kishte arritur asnjë prej kolegëve të tij gjatë debateve të mëparshme: t‘i bindte kandidatët të parashtronin veprimet, nga të cilat do të hiqnin dorë, apo do t‘i shtynin në kohë përpara një mjedisi ekonomik që ka ndryshuar dramatikisht nga dita kur ata nisën të përpilonin planet për fushatën, muaj më parë.

Asnjë prej dy kandidatëve nuk u shty shumë larg, megjithëse ndoshta MekKejni u ofroi shikuesve një listë më të detajuar. Duke përsëritur vendosmërinë për uljen e shpenzimeve të blerjeve jashtë kufijve tha: "Epo një prej tyre do të jetë programi i asistencës për marketingun. Një tjetër mund të ishte një numër subvencionesh për etanolin".

Nga ana e tij, kandidati demokrat, Barak Obama, citoi "një subvencionim prej 15 miliardë dollarësh në vit për kompanitë e sigurimeve", një komponent i programit "Medicare". Por, duke folur më në përgjithësi, shto se "jemi përpara domosdoshmërisë për të eliminuar një numër të madh programesh që nuk japin rezultate dhe kam ndër mend t‘i hyj buxhetit federal rresht pas rreshti, faqe pas faqeje. Ato programe që nuk funksionojmë, duhet t‘i ndërpresim".

Megjithëse fituesi i zgjedhjeve do të trashëgojë ndërhyrjen më të madhe federale në tregjet financiare të regjistruar në të paktën tri breza, debati (ndërkohë që nuk munguan temat politike) u përqendrua shumë më tepër te stili i secilit prej kandidatëve dhe te përpjekjet e ndërsjella për t‘i ngritur kurthe rivalit.

Pak ditë përpara debatit të fundit, gjatë një interviste të dhënë për rrjetin "ABC News", Obama e kishte provokuar MekKejnin, duke deklaruar se asnjëherë ky i fundit nuk kishte shprehur ndonjë shqetësim personal, që kandidati demokrat kishte punuar me Uilliam Ajers, ekstremistin e majtë, në dy borde organizatash jofitimprurëse, ndërkohë që njerëzit e tij e kanë përsëritur pa fund gjatë këtyre javëve.

Dhe në këtë pikë mund të merrej disi me mend se cili do të ishte reagimi i MekKejnit me t‘u hapur kjo temë. Megjithatë nuk vendosi të shprehej për çështjen e Ajersit, në çastin kur Shiferi, lidhur me tonet shumë të ashpra të fushatës së sivjetshme iu drejtua specifikisht MekKejnit me pyetjen: "Bashkëkandidatja juaj ka thënë se Obama ka raporte miqësore me terroristët". Për një moment u duk se do e anashkalonte fare pyetjen.

Por, në çastin kur u duk se Shiferi po përgatitej të hidhej te një temë tjetër e debatit, MekKejni iu kthye vetë problemit të kontakteve të Obamës me terroristin Uilliam Ajers. Ai tha: "Nuk më bëhet shumë vonë për një terrorist të vjetër e të shpëlarë. Por ashtu siç u shpreh senatorja Klinton gjatë debateve me ju, kemi nevojë të dimë deri në ç‘pikë shtrihen raportet mes ju të dyve. Kemi nevojë të njohim shtrirjen e plotë të marrëdhënieve të senatorit Obama me ‘Acorn‘-in, i cili tashmë po i jep jetë një prej mashtrimeve më të mëdha me votat në historinë e shtetit tonë, ndoshta duke rrezikuar shkatërrimin e fabrikës së demokracisë".

Me "Acorn" i referohej një grupi aktivistësh që fokusohet në çështjet e banesave, i cili së fundmi gjendet nën akuza për mashtrim.

Gjatë orëve të para të ditës së debatit, asistentët e Obamës kishin bërë me dije se senatori me ngjyrë ishte përgatitur për të dëgjuar pyetjen mbi Uilliam Ajers nga goja e MekKejnit. "Bill Ajers është profesor edukate në Çikago. Dyzet vjet më parë, kur unë isha 8 vjeç, u përfshi në akte të përçmueshme me një grup të brendshëm radikal. I kam dënuar vazhdimisht ato akte", shpjegoi Obama. "Para dhjetë vjetësh ai shërbente dhe unë shërbeja në një bord të themeluar nga Anenberg, ish-ambasadori dhe miku i ngushtë i Ronald Reganit".

Mbi grupin "Acorn" Obama tha: "Duket se ajo që kanë bërë këta njerëz është regjistrimi i njerëzve përmes disa individëve kundrejt pagesës. Mësohet se disa prej të paguarve në të vërtetë nuk kanë regjistruar njerëz, por kanë mbushur listat me emra. Diçka e tillë nuk ka të bëjë fare me ne. Nuk jemi të përfshirë në asnjë mënyrë".

Gjatë sqarimit për të shpjeguar se çfarë lidhjesh kishte pasur ai vetë me grupin, Obama u shpreh: "E vetmja përfshirje e imja me këtë grup ishte që i përfaqësoja përpara Departamentit të Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjatë procesit të implementimit të një mekanizmi që do të ndihmonte regjistrimin e votuesve të Ilinoisit". Ndërkohë dihet që nga fushata e Obamës janë derdhur disa fonde të një shoqate që ka lidhje me grupin "Acorn".

Ndërsa iu kthye prerë rivalit, teksa ky vazhdonte të këmbëngulte: "Mendoj se fakti, që diçka e tillë është bërë pjesë kaq e rëndësishme e fushatës suaj, thotë shumë më tepër për fushatën tuaj se për mua".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›