E Shtunë, 31 Tetor 2026

A duhet të mbetet nxënësi në klasë?

Shkolla te ne duhet të përshëndetet për atë që është e frekuentuar dhe shoqëria jonë, mbase më shumë se kurrë, e gjykon atë si një alternativë shpresëdhënëse. Por të rrallë janë ata që
interesohen për atë që bëhet brenda saj. Një nxënës që merr dhjetën, pasqyron më të mirën e asaj që pretendohet të bëhet, por një pjesë mjaft e madhe e nxënësve, qëndrimin në shkollë e justifikon me: "Të kem një shkollë", apo "E mora klasën" etj. Ndonëse më e udhës është të besohet ana morale e këtij problemi: Të kem një shkollë do të thotë të jem njëlloj si të tjerët.

Nga ana tjetër, ne, mësuesve, na janë dhënë ca enë të mbushura
buzë më buzë me matematikë apo histori, që me durim dhe pa u lodhur, ua zbrazim nxënësve në kokë dhe në fund bëjmë vlerësimin tonë për atë nëse është thithur apo jo ky material prej tyre. Por përqendrimi më i madh i energjisë së fundvitit lidhet me atë, nëse një nxënës mbetet në klasë apo e kalon atë. Në kolektivat e mësuesve, në përgjithësi diskutohet shoqërisht, me një frymë pozitive dhe humane për të mos pasur "viktima" me tre lëndë dhe që nxënësve t‘u jepet shansi të shkojnë në vjeshtë. Pastaj vjeshta, me freskinë e saj, bën të jenë të rrallë ata që mbeten dhe përsërisin vitin.

Vetë ekzistenca e këtyre diskutimeve mes mësuesish të lë të kuptosh se, kalimi ose mbetja në klasë nuk ka dhe aq lidhje me njohuritë shkencore të nxënësve, se sa me disa raporte specifike që janë krijuar ndërmjet tyre dhe mësuesit gjatë vitit shkollor. Sidoqoftë, në përfundim të këtij procesi, u është treguar njëherë e mirë të gjithë nxënësve, se shkolla nuk është han me dy porta dhe se ajo ka zot.

Një ligj i pazbatueshëm

Si shumica e ligjeve në fushën e arsimit (ligje aq të vjetër, sa është harruar edhe motivi pse janë krijuar) edhe mbetja e nxënësit në klasë ka marrë pamjen komike të një rudimenti. Hyn në radhën e ligjeve që vjetërsia i ka bërë të marrin statusin e një tabuje, por që nuk zbatohen. Të jep përshtypjen e diçkaje të harruar, që ekziston thjesht se e ka lënë koha aty. Madje dhe situatat e problemet që sjell, po ashtu zgjidhen, me akrobaci të bëra bajate prej kohës.

Megjithëse ligjet janë bërë për t‘u zbatuar, në mënyrën më të
natyrshme, mësuesit gjithmonë kanë qenë mjaft të rezervuar në
zbatimin me korrektësi, sidomos të këtij ligji. Çdo mësues që ka
një përvojë të mjaftueshme pune e di se, në qoftë se do t‘i vinte
notën 5 vetëm atij që e meritonte, atëherë numri i atyre që do
të mbeteshin në klasë nuk do të ishte dhe aq i vogël. Por, na pëlqen apo jo, shkolla jonë ka një objektiv mjaft të qartë: Të këmbëngulë një herë, dy, tre... derisa nxënësi të
mësojë atë që duhet mësuar. Kështu sigurohemi se nxënësi që, në
mbarim të shkollës figuron kalues, ka marrë njohuritë e nevojshme të një programi të miratuar nga shteti.

Nejse, le të mos e gënjejmë veten! Këto më sipër vlejnë për një shkollë virtuale, ku rregullat zbatohen në mënyrë ideale dhe zbatuesit janë po aq idealë. Pra, ku nxënësi merr saktësisht atë që meriton dhe mësuesi është idealisht i saktë në atë që i jep nxënësit. Por çfarë ndodh në realitet? Kush mbetet dhe pse? Kushti i parë që një nxënës të mbetet në klasë është mospërvetësimi i programit. Por të tillë nxënës ka shumë dhe, në
këtë moment, ligji fillon e bëhet i pazbatueshëm. Mësuesit, për
arsye të humanizmit, të presionit që u bëhet në lidhje me
përqindjet, statistikat e të tjera si këto, janë shkelësit e parë
të tij dhe njëkohësisht reklamojnë hapur ekzistencën e një ligji
që nuk zbatohet.

Por historia më interesante është ajo e nxënësve të vjeshtës. Çdo nxënës që kalon në provimet e vjeshtës tregon hapur, se nëntë muaj shkollë me mësues nuk vlejtën sa dy muaj të beharit, ku ai studioi në mënyrë autodidakte. Është qesharake të besojmë në vërtetësinë e kësaj teorie, por edhe një herë tregohet hapur moszbatimi i një ligji.

Tani le të marrim rastin e nxënësit që për arsyen e zbatimit me
korrektësi të këtij ligji mbetet në klasë. Cila është arsyeja që
mund të na bëjë të besojmë, se vitin e ardhshëm ky nxënës do të
jetë më i motivuar për të thithur materialin shkencor që nuk arriti ta marrë vitin e kaluar? Përvoja na tregon, se edhe në këto raste kur ligji zbatohet me korrektësi, nuk ka vend për optimizëm. Kohët që jetojmë kërkojnë nga shkolla edukimin dhe zhvillimin e aftësive të nxënësit. Ndërsa dënimi ose penalizimi janë të dëmshëm. Kur një nxënës nuk ka marrë njohuritë bazë në një lëndë, atëherë vlerësohet me notë jokaluese dhe detyrohet t‘i
rimarrë edhe një herë njohuritë e saj. Edhe nëse kjo është e pranueshme, brenda logjikës së shkollës, vazhdimi është krejt i pajustifikuar. Sepse bashkë me 78 orët e kimisë ku nxënësi mbeti, duhet të përsëritë edhe 120 orë fizike të panevojshme, se vitin e shkuar i mësoi ato ç‘duhej të mësonte, duhet të përsërisë edhe 68 orë gjeografie, të panevojshme edhe këto, duhet të përsërisë edhe 120 pompa në fizkulturë, që i ka bërë një vit më parë.

Një ligj që pjell abuzime

Mësuesi, që të bëjë mësimin normal, të realizojë ato
objektiva që ka shkruar në fletore, duhet në radhë të parë të
sigurojë qetësinë e tij dhe të nxënësve në klasë. Pra, duhet
t‘ua mbledhë dhe të bëjë "zap" ata tipat e painteresuar, që në
shumicën e rasteve janë faktori numër një që pengojnë zhvillimin e një ore normale mësimi. Këtu nxjerr kamxhikun "ngelja në klasë"
e ua fshikullon në turinj thuajse çdo orë. Disa nga fjalitë më popullore të përdorura nga mësuesi në një klasë janë: "Fajin nuk e ke ti, por unë që të kalova vjet"! ose "Do ta shohim në fund të vitit" (me versionin më të egër: "Ti s‘e merr lëndën time, sa të jem unë në këtë shkollë!").

Është e qartë se këto fraza nuk i thuhen atij që është ngritur në
dërrasë dhe nuk zgjidh dot ushtrimin, por atij që po bën një dorë
muhabet pas kurrizit të shokut, që po luan me celular, që po ngacmon tjetrin apo që zbardh dhëmbët kot së koti, pra atij që të mërzit e të ngre nervat.

Fjalitë e sipërcituara të mësuesve tregojnë haptazi se praktika e ngeljes në klasë krijon një klimë të përditshme frike te
nxënësit. Kjo klimë ia bën më të lehtë punën mësuesit. Mirëpo si t‘i justifikojmë rastet kur mësuesi, thjesht për qetësinë e tij personale, për bajraktarizëm apo për të kënaqur natyrën e tij me komplekse, vendos një gjendje terrori në klasë, duke përdorur suksesshëm praktikën e ngeljes? Si t‘i justifikojmë rastet e tjera, kur presioni me anë të mbetjes në klasë përdoret për të nxjerrë në fund ndonjë lek xhepi (na klasën, nëm kaq)?

Në këtë pikë, mos e marrë njeri guximin e të mendojë që raste të
tilla flagrante s‘ka apo dhe në ka, janë të papërfillshme në
numër... ose le ta mendojë, por të paktën të mos e thotë. Në krahun tjetër, edhe nxënësi tregon se është një nxënës i
denjë i mësuesit të tij, kur me anë të servilizmit, falsitetit,
kopjes dhe ryshfetit hedh lumin dhe feston 7 Marsin e vitit të
ardhshëm bashkë me mësuesin e tij. E pra, po të mos kish frikën e ngeljes, as miqve do të rendte, as do të përpiqej të korruptonte me ryshfete. Në këtë pikë, ndershmëria, pastërtia dhe edukata qytetare që duhej të merrnin në shkollë, ka marrë malet. Po ashtu dhe drejtësia, malet ka marrë.

Përfundimisht, praktika apo rregulli i mbetjes në klasë na bën të
kuptojmë tiparet e produktit të kësaj shkolle: një nxënës i trembur, ndaj dhe i bindur; një nxënës që u drejtohet praktikave e metodave korruptive, një nxënës që kopjimi i shndërrohet në një
nevojë jetike për të kaluar klasën, të cilit ndershmëria dhe
pastërtia i duken koncepte më të largëta se yjet më të afërt.
Zgjidhje të mundshme

Është i padiskutueshëm fakti që, duke nisur nga Ministria e Arsimit e deri te prindi më i painteresuar (por që paguan taksat), askush nuk dëshiron të ndëshkohet qoftë dhe një nxënës i vetëm. Këtë e pranojnë të gjithë, madje dhe keqdashësit. Atëherë përse mos gjejmë ligje të tillë, ku numri i viktimave të jetë mundësisht zero? Nëse do të hiqej rregulli a ligji i ngeljes në klasë, të paktën do t‘u pritej rruga ryshfeteve dhe frikës. Për të thënë krejtësisht të vërtetën, rezultati i parë negativ do të ishte që nxënësit do t‘i hipnin në qafë mësuesit, kur ky të mos kishte me se t‘i trembte më... Mirëpo, kjo mos sjell logjikisht përfundimin se shkolla jonë është ngritur mbi bazën e frikës.

Një zgjidhje e mundshme do të ishte ndoshta zëvendësimi i kësaj
praktike me një sistem pikësh, të bashkërenduar me një sistem masash të rrepta disiplinore. Ai që nuk e ka mendjen për mësim, por është i pari për trimëri, le të ndëshkohej me masa disiplinore e jo me notë (sjellja e keqe në orën e gjeografisë të mos vlerësohej me kritere gjeografike, notën 4 në fund të vitit, por me masa disiplinore...).

Ndërsa ai që nuk mëson, por që nuk ka qëllim prishjen e mësimit, le të marrë 30-40 pikë (ekuivalentja p.sh. e notës 4), por t‘i njihet qëndrimi në shkollë. Në fund të shkollës, vërtet do të marrë një dëftesë me 300-400 pikë nga 1000 të mundshme, por do të ketë marrë edukatën e qëndrimit në kolektiv, edukatën e respektit të tjetrit, edukatën e rregullit e të disiplinës, gjëra që, në jetë, do t‘i hyjnë në punë më tepër se njohja e faktit që De Rada ka vdekur i varfër. Sepse duhet pranuar që shkolla sot detyrohet të ketë një dimension shumë më të fuqishëm se ai shkencor. Dhe ky është dimensioni qytetar.

Artikulli është shkruar nga mësuesit Arben Xhane dhe Rezar Naço, si ftesë për debat mbi problemet e shumta të arsimit shqiptar



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›